Qeveria vendosi të shtunën të krijojë një institucion të ri i cili do të kontrollojë marrëdhëniet publike të të gjitha ministrive dhe do të drejtohet nga zëdhënësi i kryeministrit.
Agjencia për Media dhe Informim ka për detyrë të përcjellë në publik aktivitetin e kryeministrit dhe ministrave, pra propagandën e qeverisë dhe të “monitorojë median” për të parë reagimin e publikut ndaj qeverisë.
Në vendim thuhet se agjencia “vëzhgon publikimet e mediave dhe mjetet e komunikimit masiv, për të evidentuar perceptimin dhe qëndrimin e publikut” ndaj veprimtarisë së qeverisë.
Zëdhënësit e ministrive nuk do të emërohen më nga ministrat përkatës por nga drejtuesi i agjencisë së re, i cili emërohet nga kryeministri. Ata do të kontrollojnë aktivitetin publik të ministrave, përfshi konferencat për shtyp, pavarësisht se nuk drejtohen prej tyre.
Nënpunësit e agjencisë nuk do të kenë privilegjet e statusit të nëpunësit civil ndërsa drejtuesi i saj do të ketë status të njejtë me atë të një ministri shteti.
“Drejtori i Përgjithshëm, statusi i të cilit barazohet me atë të ministrit të shtetit, është zëdhënës i Këshillit të Ministrave,” thuhet në vendim, i cili krijon një strukturë e cila paguhet me paratë e taksapaguesve për detyra që nuk janë në shërbim të tyre si monitorimi i mediave dhe rrjeteve sociale, prodhimi i propagandës së qeverisë dhe zhvillimi i sondazheve për çështje që i interesojnë qeverisë.
Deri tani, marrëdhëniet publike të gjithë qeverisë janë kontrolluar nga zyra e shtypit të kryeministrit dhe shumica e aktiviteteve janë transmetuar në kanalin e tij “ERTV” të cilin ai ka pranuar se financohet privatisht.