Lidhja Demokratike e Kosovës do të paraqesë një mocion mosbesimi në parlament kundër Kryeministrit Albin Kurti.
Lajmi u bë i ditur nga lideri i LDK-së, Isa Mustafa pas një mbledhje të kryesisë së LDK në lidhje me vendimin e sotëm të Kurtit për të shkarkuar ministrin e brendshëm Agim Veliu, i cili është edhe nënkryetar i LDK-së. Mustafa tha se Kurti nuk kishte respektuar marrëveshjen e koalicionit, sipas së cilës duhet të ishte konsultuar me LDK-në përpara shkarkimit të ministrit.
Qeveria Kurti erdhi në pushtet rreth një muaj më parë dhe votimi për këtë mocion mosbesimi mund të shënojë fundin e saj. Nuk është ende e qartë se kur mund të paraqitet mocioni dhe kur mund të bëhet votimi.
Mustafa renditi disa mosmarrëveshje mes dy aleatëve gjatë kësaj kohe. Ai theksoi se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kishin këmbëngulur për heqjen graduale të tarifës ndaj mallrave serbe dhe për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë, megjithë kundërshtimin e SHBA-ve, që kërkon heqje të menjëhershme dhe pa kushte.
Mustafa fajësoi Kurtin se ka rrezikuar marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të, ka rrezikuar praninë ushtarake dhe ekonomike amerikane në Kosovë dhe mbështetjen e tyre ndërkombëtare.