Gjergj Erebara në një artikull të publikuar nga reporter.al shkruan se qeveria ka miratuar një taksë të re për pikat e shitjes së karburantit e cila do të ndikojë drejt përdrejtë në rritje të çmimit të shitjes së karburantit. Në artikull sqarohet se:
Pikat e shitjes së karburanteve do t’i paguajnë pushtetit vendor një tarifë licensimi — 3 milionë lekë për pikat që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Tiranë dhe një milion lekë për bashkitë e tjera.
Ky vendim është miratuar njëherë nga qeveria në vitin 2015, me tarifa më të larta, por u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese me arsyetimin se vendim ishte antikushtetues. Kjo do të thotë se vendimi i ri i marrë në prill të 2017 për shtrenjtimin e tarifave të licencimit, pavarësisht se tarifat janë ulur në krahasim me vendimin e vitit 2015, përbën njësoj shkelje kushtetuese të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, por ky abuzim nuk duket se i bën përshtypje qeverisë.
Sipas Unionit të Shoqërive të Hidrokarbureve Shqiptare, taksa e re e licensimit ndaj pikave të shitjes me pakicë të karburanteve do të rrisë çmimin e karburantiit nga 1 në 10 lekë për litër, në varësi kjo të sasisë së karburantit të shitur nga njësia e taksuar.
Në gusht, Bashkia Tiranë vendosi të kërcënojë me bllokim pikat e karburanteve duke kërkuar tarifat e reja të licencimit. Duke mos e marrë mundimin për të fshehur faktin që kjo nuk është një tarifë licencimi por një taksë, nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbjan Mazniku deklaroi se këto të ardhura do të “shpenzohen për çerdhe, kopshte, lulishte, parqe”.
Pak ditë më parë, edhe Bashkia e Elbasanit hyri në aksion për të rrëmbyer nga pikat e karburantit të njëjtën tarifë licencimi të cilën Gjykata Kushtetuese e ka shpallur sakaq antikushtetuese.
Aktualisht Shqipëria ka taksat më të rënda mbi karburantet në rajon, gjë që është reflektuar në çmime gati 30 për qind më të larta të naftës apo benzinës në krahasim me Kosovën apo Maqedoninë.