Qeveria ndryshon anëtarët, por ruan kontrollin në administrimin e universiteteve

Qeveria ndryshon anëtarët, por ruan kontrollin në administrimin e universiteteve

Ministria e Arsimit ka hapur thirrjen për anëtarëve të rinj të bordeve të adminsitrimit të të gjitha universiteteve publike në vend. Anëtarët e mëparshëm, të emëruar nga qeveria në këto borde, u shkarkuan në bllok dhjetorin e shkuar.

Kjo ishte një nga përpjekjet e parë të kryeministrit për të kënaqur studentët protestues, ende pa u artikuluar nga vetë studentët, kërkesa për përfaqësim në bordet e administrimit. Më 9 dhjetor, katër ditë pas nisjes së protestës të studentëve, Kryeministri Rama iu drejtua studentëve:

Do të shkarkojmë të gjithë përfaqësuesit e qeverisë në Bordin e Administrimit. Por, unë nuk bëj asnjë lëvizje, po nuk erdhët këtu dhe po nuk folëm bashkë… Ju më sillni një emër të një studenti, që doni ju dhe do ta vendosim direkt, por jo të rrini aty [në boulevard].”

 Ndërsa, në fund të dhjetorit qeveria mbajti një mbledhje të veçantë për shqyrtimin e kërkesave të studentëve dhe mori një sërë vendimesh për këtë qëllim. Mes vendimeve ishte edhe ai për shkarkimin e anëtarëve të emëruar nga qeveria në bordet e administrimit dhe zëvendësimin e tyre.

Rezultatet e mbledhjes u përshkruan nga Kryeministri si zgjidhje përfundimtare e kërkesave të studentëve dhe zyra e tij shpërndau një dokument sqarues të titulluar Pakti për Universitetin, i cili shpjegonte si vendimet e qeverisë plotësonin kërkesat e studentëve.

Pas rinisjes së protestave, në janar 2018, Ministrja e re Arsimit, Besa Shahini, gjatë një paraqitje publike të këtij pakti u shpreh:

“Bordet e administrimit do të shkarkohen [në të gjitha universitetet publike] dhe anëtarët e rinj do të zgjidhen nga një proces i hapur që do të jetë transparent. Anëtarët e bordeve do të jenë figura të njohura, dhe një prej tyre do të zgjidhet nga studentët. Prandaj, u bëj thirrje studentëve që të nisin të mendojnë për procesin e zgjedhjeve, jo vetëm të anëtarëve të bordit por dhe për Këshillat Studentorë, aty nuk ka pasur zgjedhje.”

Kjo do të thotë se qeveria nuk ka vendosur të zgjedhe një student, përfaqësues të turpës studentore, në bordet e administrimit, por t’ju japë të drejtën studentëve që një nga anëtarët (jostudentë)  që zgjedh qeveria ta propozojnë studentët. Vendimi i qeverisë, shprehet se studentët duhet të paraqesin tri kandidatura, jo studentë, për anëtarë bordi dhe Ministria e Arsimit do të zgjedhë njërin prej tyre.

Duhet theksuar se, shumicën e anëtarëve në bordet e administrimit të universiteteve e zgjedh qeveria. Ligji shprehet se shumicën prej shtatë anëtarëve në bordet e administrimit e ka ai institucion, pra qeveria ose vetë universiteti, që financon shumicën e të ardhurave të universitetit. Pra, nëse shumica e të ardhurave sigurohen nga qeveria, ajo ka katër anëtarë në bordin prej shtatë anëtarësh, ndërsa nëse shumica e fondeve të buxheti të universitetit vjen nga vetë universiteti, atëherë është ky që ka katër anëtarë.

Deri më sot, asnjë prej universiteve publike nuk arrin të vetëfinacojë të paktën 50 përqind të buxhetit, që do të thotë, se shumicën e anëtarëve në të gjitha universitetet publike e ka qeveria.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>