Qeveria në fushatën, harron miratimin e VKM-së për turistët

Qeveria në fushatën, harron miratimin e VKM-së për turistët

Prej të paktën 4 vitesh, qeveria shqiptare, në prag të sezonit turistik, lehtëson procedurat për futjen e të huajve në vend duke lejuar hyrjen në Shqipëri pa viza.

Për të stimuluar turizmin, në vitin 2013 dhe 2014, Qeveria Berisha, e më pas Qeveria Rama, eliminoi vizat për periudhën qershor – tetor të shtetasve nga Rusia dhe një grup tjetër vendesh, shtetasit e të cilëve nëse duan ta vizitojnë gjatë vitit Shqipërinë, duhet të aplikojnë paraprakisht dhe të paguajnë ngë 11 deri në 100 euro për vizë.

Kjo iniciativë, e përshëndetur si nga Ambasada Ruse, dhe nga Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT), pati kryesisht ndikim pozitiv në rritjen e numrit të turistëve rusë gjatë sezonit veror.

I njëjti Vendim i Këshillit të Ministave u miratua dhe në prag të sezonit turistik 2015, madje afati u shty më tej deri më 1 nëntor.

Në vitin 2016, duke parë rritjen e numrit të turistëve dhe interesimin e një numri të madh operatorësh turistikë që tashmë kishin hartuar guida të plota nga veriu në jug për turistët rusë, Ambasadori Rus në Tiranë Aleksandër Karpushin dhe Drejtori i AKT-së Ardit Çollaku kërkuan nga qeveria Rama që periudha e heqjes së vizave për rusët të niste që nga data 1 maj.

Përveç operatorëve shqiptarë, dhe dhjetra kompani turistike ruse promovuan paketat turistike për në Shqipëri.

Ambasada Ruse madje lajëmroi publikisht se në verën e 2016-ës numri i turistëve rusë në Shqipëri do të rritej ndjeshëm si pasojë e bojkotimit në masë nga rusët të Turqisë, një ndër destinacionet më të preferuara të rusëve për pushimet verore gjatë viteve të fundit.

Kur ka nisur sezoni i ri turistik për vitin 2017, Qeveria Shqiptare ende nuk ka miratuar VKM-në, tashmë rutinë, që lejon heqjen e vizave për turistët rusë. Disa kompani turistike që ofrojnë pikërisht këto guida shprehen se ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë këtë verë dhe se prenotimet për momentin janë pezulluar, duke shkaktuar pakënaqësi tek turistët dhe dëm ekonomik tek kompanitë.

Burime për Exit.al pohojnë se Ministria e Jashtme e ka nisur kërkesën drejt Këshillit të Ministrave, të cilët duket se të zënë me fushatën elektorale kanë harruar të miratojnë VKM për turizmin. Mbledhja e fundit e Këshillit të Ministrave është mbajtur më 22 maj dhe në mungesë të Kryeministrit Rama që  është angazhuar personalisht në fushatën e PS-së, vendimet e kësaj mbledhje janë firmosur nga ish-zëvendëskryeministri Niko Peleshi.

Një tentativë e Exit.al, paraditen e 31 majit për të kontaktuar me Ministrinë e Jashtme për të konfirmuar nëse vertëtë kërkesa ka mbetur në dosjen e Këshillit të Ministrave, dështoi pasi askush nga zyra e informacionit nuk u përgjigj në numrin e kontaktit.

Duket se pavarësisht se Qeveria Rama ka promovuar gjatë gjithë kohës se do të ndërmarrë nisma që nxisin zhvillimin e turizmit, nëse këto nisma duhet të “firmosen” gjatë fushatës elektorale atëherë duhet të presin.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>