Qeveria Rama dhe Organizata Botërore e Shëndetit për Europën nënshkruan, të enjten, një marrëveshje bashkëpunimi 2-vjeçare për të bashkëpunuar për të luftuar përhapjen e Covid-19.
Në një konferencë për shtyp, Manastirliu tha se marrëveshja është ‘një angazhim real për të vënë nën kontroll pandeminë’:
“Sot firmosim një marrëveshje të rëndësishme që nuk është tipike që e kemi firmosur çdo dy vite. Jo se ka ndryshuar diçka në thelb të bashkëpunimit tonë por sepse situata ku jemi sot na drejton një angazhimi real.
Kjo marrëveshje është një angazhim real për të forcuar kapacitet e vendit dhe për të kontrolluar pandeminë, për të adresuar faktorët përcaktues të shëndetit dhe për të përmirësuar aksesin në sistemin shëndetësor.
Në këtë moment shumë kritik për të gjithë botën mbarë kjo marrëveshje do të jetë udhëzues për hapat që do të marrim nga sot e në vijim duke mbajtur në vëmendjen tonë shëndetin.”
Sipas drejtorit të OBSH-së Hans Kluge, kjo marrëveshje do të përfshijë mbështetje për Shqipërinë për shëndetin mendor, digjitalizimin, imunizimin ndaj Covid-19.