Kryeministri Rama deklaroi sot se nuk do të rriten taksat. Në një takim me Dhomën e Tregtisë, Rama u shpreh se reformat anti informalitet, të ndërmarra deri më tani kanë qenë të sukseshme. “Së pari nuk do të kemi rritje taksash çka konfirmon, por këtë herë jo me zërin tonë por me qëndrimin e FMN-së, se gjithçka është propaganduar për rënien e të ardhurave nuk ka lidhje me arsye të gënjeshtërta që i janë servirur publikut, por ka lidhje me gjendjen objektive të konjekturës ndërkombëtare, që nga ulja e çmimit të naftës, mineraleve, inflacionin e me radhë dhe nga ana tjetër nuk do të prekim llogarinë kapitale, pra do të vazhdojmë të investojmë,” tha kryeministri Rama.
Zoti Rama shtoi se me reformat kundra informalitetit, vendi ka fituar besim e FMN-së. Ai tha : “Në negociatat me FMN qeveria ishte në një pozicion të favorshëm besimi. Kemi krijuar besimin se bëjmë atë që themi dhe themi atë që bëjmë dhe kjo sigurisht na krijon kushtet dhe na jep mundësitë për të vazhduar më tutje”.
Nesër, me mbylljen e misionit të FMN-së, do të dalë raporti përfundimtar dhe vendimi i FMN-së për dhënien e këstit të rradhës së kredisë. Kësti prej 26 milionë dollarësh nuk u dha në korrik, pasi FMN-ja nuk ishte optimiste për gjendjen financiare në vend.