Qeveria nuk e ka ftuar OSBE-në për të vëzhguar zgjedhjet e 13 tetorit

Qeveria nuk e ka ftuar OSBE-në për të vëzhguar zgjedhjet e 13 tetorit

Qeveria shqiptare nuk e ka ftuar OSBE-ODIHR-in për të vëzhguar zgjedhjet lokale të 13 tetorit. Lajmin e bëri të ditur për Exit një zëdhënës i OSBE-ODIHR-it.

“ODIHR u ftua të vëzhgonte zgjedhjet vendore të 30 qershorit dhe aktualisht po punon për raportin përfundimtar, i cili do të vlerësojë procesin zgjedhor në tërësi dhe do të ofrojë rekomandimet përkatëse. Aktualisht ODIHR nuk është ftuar nga Shqipëria për të vëzhguar zgjedhje të tjera.”

Raporti paraprak i OSBE-ODIHR arriti në përfundimin se zgjedhjet vendore të 30 qershorit “u zhvilluan pa marrë parasysh interesin e elektoratit”.

Presidenti Meta dekretoi datën 13 tetor si datë për zgjedhjet vendore më 27 qershor, me dekretin Nr 11211, pasi anuloi datën 30 qershor. Por si qeveria, ashtu dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e pranuan dekretin e anulimit të 30 qershorit dhe i zhvilluan zgjedhjet.

Javët e fundit, disa prej partive opozitare i kërkuan KQZ-së t’i regjistrojë për zgjedhjet e 13 tetorit, por deri më tani KQZ nuk e ka pranuar kërkesën e tyre.

Nëse OSBE-ODHIR nuk do të jetë e pranishme për të vëzhguar zgjedhjet e 13 tetorit, kjo do të jetë hera e parë që prej vitit 1996, që organizata do të mungojë në vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Vitin e ardhshëm Shqipëria pritet të marrë presidencën e OSBE-së. në qershor, zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj deklaroi se “Shqipëria do të marrë kryesinë e OSBE-së për vitin 2020 e frymëzuar nga ndenja e përgjegjësisë dhe e shtyrë nga vendosmëria për t’i kontribuuar sigurisë dhe stabilitetit të kontinentit tonë dhe përparimit të popujve tanë.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>