Qeveria vazhdon të mos kursejë lumenjt e zonave të mbrojtura nga projektet e hidrocentraleve.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), Kryeministri Edi Rama ka miratuar lejet e 5 hidrocentraleve të reja, njëri prej të cilëve do të shfrytëzojë lumin e një rezervati strikt natyror të përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Në mbledhjen e 12 korrikut KKT ka miratuar lejet për:
1-Hec Veleshica 1 dhe 2, në lumin e Veleshicës në Dibër dhe Kukës, nga Kalisi Hydropower shpk.
2-Hec Drita, Lumi i Gashit në Tropojë nga Breçani ROSP.
3-HEC Ligjanca 1 dhe 2, në lumin e Ligjancës dhe përroit të Pishkashit, në Prrenjas nga Rei Energji shpk.
4-HEC Shutri 1 dhe 2, në pellgun ujëmbledhës të lumit të Shutrisë në Mat nga ATEANI shpk.
5-HEC Kuç në lumin e Shushicës në Himarë nga Age Kuç shpk.
KKT ka miartuar gjithashtu rishikimin dhe shtyrjen e afateve për lejen ekzistuese të HEC Darsi 1 dhe 2 në përroin e Darsit në Klos nga Henz Energy shpk.
Nga lejet e fundit, hidrocentrali në Lumin e Gashit dhe në Shutri pritet të kontestohen nga mjedisorët dhe banorët e zonave.
Lumi i Gashit është rezervat strikt natyror dhe klasifikohet zonë e mbrojtur “kategori e parë”. Ka pyje të lashta të ahut që mbrohen rreptësisht në 12 shtete të Evropës.
HEC Drita me kapacitet 1,980 KW do të ndërtohet 1.14 km larg këtij rezervati dhe 1.01 km larg parkut kombëtar të Valbonës.
Tubacionet e hidrocentralit do të kalojnë 365 metra larg morenave akullnajore.
Pas hidrocentraleve në Valbonë, ky në Lumin e Gashit pritet të jetë një tjetër ndërtim që mund të trazojë komunitetin e zonës.
Ndërkohë për HEC Shutri 1 dhe 2, ai shfrytëzon lumin e Urakës, zonë në të cilën gjithashtu banorët e atjeshëm kanë kundërshtuar prej kohësh ndërtimet e hidrocentraleve.
Lejet e radhës dëshmojnë edhe njëherë atë që Exit.al e kishte paralajmëruar, se procesi i skanimit të kontratave që bëri Ministria e Infrastrukturës për 5 muajt e parë të vitit, nuk do ta ndryshonte qasjen e qeverisë dhe nuk do të anulonte HEC-e në zonat e mbrojtura.
Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit në Shqipëri është parashikuar të ndërtohen mbi 500 hidrocentrale, ku mbi 100 prej tyre janë në ndërtim dhe 60 hidrocentrale janë në 12 zona të mbrojtura.
Më 6 korrik mjedisorë dhe banorë të zonave të prekura nga hidrocentralet në vend protestuan përpara Kryeministrisë për të kërkuar ndalimin e ndërtimeve.
Por sërish protestat dhe zëri i banorëve në zonat ku ndërtohen hidrocentralet nuk merren parasysh.