Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi në një intervistë me Aurora Sulçen në Ora News deklaroi se qeveria Berisha dha 143 konçensione, ndërsa nga qeveria socialiste deri më tani janë aprovuar 14, ndërsa për 65 të tjera janë duke u përgatitur studimet e fizibilitetit.
Ministrja shpjegoi, gjithashtu, se konçensioni i zonës së lirë të Spitallës do të ripropozohet për një tjetër zonë më të vogël nga 250 hektarë që ishte zona fillestare. Sipas ministres, përgatitja e tenderit të ri do të bëhet në konsultim që në fazën fillestare me ambasadat e pranishme në Shqipëri dhe me një përforcim të kërkesave për pjesëmarrësit. Ministrja ka informuar, gjithashtu, se investitorë turq dhe maqedonas kanë vizituar ministrinë pikërisht për këtë qëllim, ndërsa investitorë të tjerë kanë shprehur interes për zonën e Vlorës dhe Koplikut.
E pyetur për rënien e eksporteve, ministrja deklaroi se nuk ajo beson se do të ketë një tjetër “paketë fason”, ndërkohë qeveria po mundohet të zbatojë paketën ekzistuese, për të cilën shoqëritë e prodhimeve fason denoncojnë se është zbatuar vetëm pjesërisht.
Qeveria do të fokusohet në të ardhmen në sektorët të tjerë si ai i bujqësisë, turizmit, plastikës dhe riciklimit.
Në lidhje me rinegocimin e ekskluzivitetit për Aeroportin e Rinasit, të cilin paraardhësi Ahmetaj e kish deklaruar më shumë se njeherë si të mbyllur me sukses, Ministrja e Ekonomisë u shpreh se nuk ka shumë informacion për të dhe se nuk e di si do të zhvillohen ngjarjet.
Në përmbledhje, Ministrja e Ekonomisë konfirmoi se:
- qeveria ka ndërmend të japë edhe shumë konçensione të tjera,
- qeveria ka ndërmend të ribëjë tenderin e Spitalleēs por pa e ndryshuar skemën e dështuar herën e parë;
- qeveria nuk ka ndërmend të japë shumë lehtësira të tjera për prodhuesit fason;
- qeveria do të lejojë importimin e plehrave për riciklim;
- qeveria nuk ka arritur ende të rinegociojë konçesionin e Rinasit dhe ministri Ahmetaj ka gënjyer për sukseset e negociatave.