Qeveria rihap për të tretën herë tenderin për aeroportin e Vlorës

Nga Exit News
Qeveria rihap për të tretën herë tenderin për aeroportin e Vlorës

Qeveria ka rihapur, të hënën, garën ndërkombëtare për ndërtimin e aeroportin e Vlorës.

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku njoftoi hapjen e garës përmes një videoje në rrjetet sociale.

Gara do të jetë e hapur nga 23 nëntori deri ne 23 dhjetor.

Më pas, në mes të janarit pritet të shpallet kompania ose konsorciumi fitues.

Kjo është hera e tretë që qeveria hap garën për aeroportin e Vlorës.

Fillimisht në dhjetor të 2019 qeveria hapi garën për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, ku afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga kompanitë ishte 12 mars 2020.

Më pas tenderi u rihap në tetor 2020, por në 10 nëntor, Balluku njoftoi dështimin e tenderit për herë të dytë, për shkak të pandemisë së Covid-19.

Historia e ndërtimit të aeroportit të Vlorës

Më 10 tetor 2017, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli fituesin e tenderit për bërjen e studimit e bëshmërisë për aeroportin e Vlorës. Tenderi u fitua nga Seed Consulting, me një ofertë sa 98.6 për qind e buxhetit maksimal të vënë në dispozicion.

Seed Consulting është në pronësi të pronarëve të Atelier 4, një studio arkitekture që ka qenë e përfshirë ngushtë me projektet e rilindjes urbane të Ramës, që kur ai ishte kryetar i bashkisë së Tiranës.

Më 17 janar 2018, kryeministri Edi Rama njoftoi se kishte marrë një “kërkesë zyrtare” për ndërtimin e një aeroporti pranë Vlorës nga konsorciumi turk. Të tre kompanitë në konsorcium, Cengiz Construction, Kalyon Construction dhe Kolin Construction, kanë lidhje të ngushta me regjimin e presidentit turk Erdoğan.

Kërkesa erdhi para se të publikohej studimi i bëshmërisë së aeroportit dhe pas vizitës së kryeministrit Rama në Turqi, gjatë së cilës ai njoftoi se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do ta “ndihmonte” me krijimin e një kompanisë ajrore shqiptare. Sipas Ramës, puna për ndërtimin e aeroportit do të fillonte në qershor 2018.

Më 11 prill 2019, konsorciumi turk u tërhoq nga koncesioni për zhvillimin e Aeroportit të Vlorës. Ministria e Infrastrukturës njoftoi se do të zhvillohet një konkurs ndërkombëtar për të zgjedhur kompaninë e re:

“Konfirmojmë zyrtarisht se do të ketë një garë ndërkombëtare për ‘Vlora International Aeroport pasi interesi është i madh nga investitorët. Dhe ky proces do të përmbush të gjitha kushtet ligjore dhe elementët e transparencës.”

Më 15 shtator 2019, Kryeministri lajmëroi zyrtarisht se konsorciumi turk është larguar dhe studio e preferuar e kryeministrin, Archea ka kryer projektin e ri.

“Pas negociatave tejzgjatura, por si përfundim të pasuksesshme me konsorciumin që shprehu interes për realizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, u angazhuam drejtëpërdrejt në bërjen e projektit për të mos humbur tjetër kohë të çmuar.

Falë një pune voluminoze në bashkëpunim me një skuadër ndërkombëtare ekspertësh nën drejtimin e studios së famshme ARCHEA, kemi në dorë një projekt ambicioz të standarteve më të larta teknike e arkitektonike.”

Më 16 shtator 2019, Kryeministri prezantoi projektin në Vlorë dhe tha se ende nuk e kishte vendosur nëse do ta ndërtonte ndonjë firmë ndërkombëtare apo me paratë e buxhetit të shtetit.

“Po studiojmë paralelisht dy opsione, ose qysh në fazën e ndërtimit me një kompani serioze ndërkombëtare ose do ta ndërtojmë vetë, me buxhetin e infrastrukturës dhe pastaj do të përzgjedhim operatorin ndërkombëtar. Sepse s’kemi më kohë për të humbur dhe NE PRANVERE DUAM TE HAPIM KANTIERIN.”

Ai tha se pista e aeroportit të Vlorës do të jetë më e madhe se e Tiranës, dhe do të kthehet në një qendër ekonomike:

“Vlora do ketë një pistë 3.2 km, kur Tirana e ka më të vogël.Do mundësojë edhe transportin e mallrave… Do ketë dhe një funksion të tretë, për mirëmbajtjen dhe riparimin e avionëve. Këto e bëjnë aeroportin e Vlorës një qendër ekonomike, pasi kontributi në ekonomi do jetë shumë i ndjeshëm.”

Kryeministri lajmëroi se qeveria do të ndërtojë edhe një aeroport të ri në Sarandë.

“Kemi filluar ndërtimin e a aeroportit të Kukësit. Njëkohësisht po punojmë për aeroportin e Sarandës. Qoftë Kukësi apo Saranda do kenë aeroporte me një tjetër profil.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>