Qeveria vendos “Qendrën historike” të Tiranës, por shkel turpshëm ligjet e veta

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Qeveria vendos “Qendrën historike” të Tiranës, por shkel turpshëm ligjet e veta

Më 12 prill 2017, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin (VKM) 325, në të cilin një pjesë e rëndësishme e qendrës së Tiranës mbrohet ligjërisht nën cilësimn “Qendër Historike”. Megjithëse kjo është një nismë për tu lavdëruar, e cila përditëson VKM-në e vitit 2000 — mbetet e padobishme sepse qeveria ka shkelur të gjitha ligjet që propozon në mënyrë të vazhdueshme.

Për më tepër, disa ndërtesa historike nuk përfshihen në “Qendrën Historike”, që nënkupton se ato nuk janë të denja për të përfituar të njëjtin kujdes dhe mbrojtje sikurse përcakton VKM-ja.

“Qendra Historike” e Tiranës sipas VKM nr. 325, 4 prill 2017

Në VKM vërehet një numër i konsiderueshëm mospërputhjesh.

Së pari — Pallati i Kulturës në Sheshin Skënderbej dhe Galeria Kombëtare e Artit, të ndërtuara gjatë periudhës komuniste, janë përfshirë në zonën e mbrojtur. Ndërsa Muzeu Historik Kombëtar, Piramida dhe Pallati i Kongreseve, të gjitha monumente të rëndësishme të ndërtuara gjatë të njëjtës periudhë, janë përjashtuar. E njëjta gjë vlen edhe për ndërtesat e dyfishta të teatrit prapa Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Nga zona e mbrojtur përjashtohet pjesa më e madhe e Kalasë mesjetare të Tiranës, ku aktiviteti i paligjshëm i ndërtimit është duke vazhduar. Për më tepër, duhet theksuar se një nga vilat e fundit të mbetura të paprekura në Tiranë, Vila e  Sarajeve, e shpallur monument i kategorisë së parë, ndodhet jashtë zonës së mbrojtur.

Është interesante të shihet se si harta e përdorur nga Këshilli i Ministrave për të treguar zonën e zonës së mbrojtur nuk është marrë nga Plani i Përgjithshëm Vendor i Tiranës i hartuar kohët e fundit, por daton përpara se Edi Rama, atëherë kryetar i bashkisë së Tiranës, të fillonte përpjekjen e tij të parë për rindërtimin e Sheshit Skënderbej.

Sikurse është e qartë, pamja origjinale e sheshit është ende e dukshme, siç është shatërvani i periudhës komuniste në sheshin Nënë Tereza, si dhe stadiumi Qemal Stafa, tashmë i shkatërruar. Mungon në hartë Katedralja Ortodokse, e ndërtuar vitet e fundit.

VKM-ja në vetvete përmban një gjuhë absurde përballë realitetit arkitektonik në terren. Për shembull, neni 4 (1) thekson:

Qendra historike e qytetit të Tiranës është hapësira urbane me vlera të rëndësishme urbanistike arkitekturore që dokumenton zhvillimin historik të qytetit të Tiranës dhe arritjet në arkitekturën dhe urbanistikë.

Kjo nuk është e vërtetë. Siç e thashë më lartë, Kalaja e Tiranës, trashëgimi e rëndësishme arkitekturore e periudhës otomane, si dhe disa nga monumentet kryesore dhe arritjet e vërteta të arkitekturës komuniste janë përjashtuar nga qendra historike.

Neni 7 flet për llojet e restaurimeve që do të lejohen në Qendrën Historike:

1.Ndërhyrje sistematike konservuese, restauruese dhe të mirëmbajtjes, si dhe në monumentet e të dy kategorive bazuar në kriteret për konservimin dhe restaurimin.

2.Ndërhyrjet restauruese që synojnë ruajtjen e hapësirave urbanistike-arkitekturore, rrjetit rrugor tradicional në kompozim dhe teknikë, si dhe duke mbajtjen të pandrushuar konfiguracionin e truallit të hapësirave pushuese dhe të bimësisë tradicionale.

Bazuar në hartën e përfshirë në VKM, e cila është pjesë “e pandashme” e saj, kjo do të thotë se është tërësisht e padobishme dhe retorikë boshe. Përveç ndryshimeve të mëdha në qendër të qytetit gjatë 27 viteve të fundit, vetëm një pjesë e së cilës tregohet në hartën e vjetëruar, qeveria Rama ka bërë disa ndërhyrje që haptazi e shkelin këtë rregullore.

Puna ndërtimore në Sheshin Skënderbej

Ndoshta shkelja më e dukshme e zonës së mbrojtur është rindërtimi i Sheshit Skënderbej, i cili në këtë mënyrë ka për qëllim të ruajë konfigurimin origjinal të hapësirës dhe vegjetacionit tradicional, por ndërhyn rrënjësisht në linjat e shikimit dhe marrëdhëniet arkitektonike midis objekteve ngjitur me sheshin.

Heqja e shatërvanit të periudhës komuniste në Sheshin “Nënë Tereza”, për arsyen e thjeshtë se Papa do të vizitonte Shqipërinë, ka dëmtuar rëndë konfigurimin e një hapësire, të cilën kryetari i bashkisë Erion Veliaj premtoi se do të ishte një “zonë për këmbësorët”. Tashme kjo zonë është bërë një tjetër aks i pushtuar nga trafiku.

Kur është fjala për ndërhyrjet në monumente, gjendja është edhe më absurde. Sipas Nenit 8, lejohen ndërhyrjet e mëposhtme:

1.Ndërhyrjet në monumentet e kategorisë së parë ruajnë kompozimin dhe teknikat origjinale si në brendësi, ashtu dhe në pamjet e jashtme. Në rastet kur një pjesë e monumentit ka pësuar dëmtime, transformime ose mungon, mund të ndërmerren ndërhyrje plotësuese sipas gjendjes fillestare.

2.Ndërhyrjet në monumentet e kategorisë së dytë ruajnë volumin fillestar dhe formulimin e pamjes së jashtme, ndërsa në brendësi mund të bëhen ndryshime, duke zbatuar kompoime sipas kërkesave të kohës dhe teknikat e sotme.

Pjesa e pasme e Ministrisë së Punëve të Brendshme “të restauruar”

Për shembull, “restaurimi” i godinës së Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë drejtimit të saj nga Saimir Tahiri, ka ndryshuar skemën tradicionale të ngjyrave të ndertesës nga e verdhë në të kuqe; ka shfaqur një tubacion bakri i cili tashmë është drejt degradimit; i ka shtuar një aneks të madh (dhe të paligjshëm) ndërtesës në oborrin e saj të pasëm. Si rezultat, integriteti kompozues i ndërtesave qeveritare të periudhës italiane në hyrjen jugore të Sheshit Skënderbej është shkatërruar plotësisht.

“Marquee Tirana” i Philippe Parreno, duke “turpëruar” Kryeministrinë

Një shembull tjetër është ndërhyrja e kryeministrit Edi Rama në fasadën e Kryeministrisë, një ndërtesë tjetër nga periudha fashiste. Instalimi i “Marquee Tirana” i Philippe Parrenos është në shkelje të plotë të Nenit. 8 (2), pasi ajo plotësisht thyen unitetin e fasadës, duke dëmtuar shtresën e mermerit të ndërtesës.

Kur lexon vendimin për ndërtesat e reja brenda zonës së mbrojtur, bëhet e qartë se i gjithë VKM, si një mjet për të mbrojtur trashëgiminë arkitekturore, është në fakt krejtësisht e padobishme. Neni. 9 thekson:

1.Në këtë zonë të mbrojtur kryhen restaurime, përshtatje, rikonstruksione apo edhe ndërtime të reja për të rritur vlerat brenda saj dhe përmirësimin e kushteve të jetesës, të cilat duhet të jenë në harmoni me karakterin arkitektonik dhe urbanistik të ansamblit .

2.Lartësia maksimale e ndërtimeve të reja apo rikonstruksioneve dhe përshtatjeve, përveç rasteve kur për to ka studime të veçanta, nuk duhet të kalojnë lartësinë e objektit më të lartë të Qendrës Historike.

Projekti i stadiumit Qemal Stafa

Pjesa që kam theksuar me shkronja të zeza është padyshim pjesa më e “fshehtë” e nenit. Për shembull, Kryeministri vitin e kaluar urdhëroi shkatërrimin e stadiumit monumental Qemal Stafa dhe ndërtimin e një stadiumi të ri me një kullë, lartësia e të cilit është krejtësisht e panjohur. Ai madje i kaloi pronësinë e terrenit, në të cilin do të ndërtohet stadiumi i ri kompanisë private, duke privatizuar kështu një pjesë të “zonës së mbrojtur”. Sigurisht, stadiumi i ri është një nga ato përjashtime ku duhet të ketë pasur një “studim”, por ndonjë detaj i këtij projekti nuk është bërë publik!

Në mënyrë ironike, në momentin që kulla do të përfundojë së ndërtuari, do të jetë de facto ndërtesa më e lartë në “zonën e mbrojtur”, që do të thotë se çdo kullë tjetër, e planifikuar ose e paplanifikuar, nuk do të ketë më nevojë për “studime të veçanta” në mënyrë që të përputhet me këtë rregullore.

Të gjithë shembujt e mësipërm tregojnë se qeveria e Edi Ramës, duke përfshirë Ministrinë e Kulturës të drejtuar nga Mirela Kumbaro, kujdeset shumë pak për trashëgiminë kulturore në vend dhe në qytetin e Tiranës. E kjo jo vetëm për shkak se ata mbushin xhepat e tyre duke shitur restaurimin ose punimet e ndërtimit tek kompanitë pranë tyre.

Ata gjithashtu nuk janë të interesuar dhe janë intelektualisht të paaftë për të kuptuar mbrojtjen e arkitekturës dhe hapësirës publike për vlerën dhe bukurinë e tyre të brendshme. Ata kujdesen për të vetëm kur mund të gjenerojnë fitim nëpërmjet “turizmit”, përmes një mënyre të vetme konsumi jo të bazuar në interes dhe pasion të vërtetë, por të bazuar në interesa afatshkurtër, personalë dhe sipërfaqësor.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>