Radio Evropa e Lirë padit Rusinë në Strasburg

Nga Exit News
Radio Evropa e Lirë padit Rusinë në Strasburg

Radio Evropa e Lirë (REL) e ka paditur Rusinë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut për shkak të gjobës në bazë të ligjit për “agjentët e huaj”.

REL-i tha se më 19 maj e ka paraqitur padinë e saj në gjykatën me bazë në Strasburg duke bërë thirrje që kësaj çështjeje t’i jepet statusi i përparësisë.

REL-i ka thënë se përcaktimi dhe gjobat ndëshkuese të vendosura nga Rusia shkelin të drejtat e lirisë së shprehjes dhe lirinë e shtypit të mbrojtur sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Moska është nënshkruese e Konventës.

Ministria e Jashtme ruse nuk është përgjigjur ende për këtë çështje. Ligji për “agjentët e huaj” në Rusi është miratuar në vitin 2012 dhe është modifikuar vazhdimisht.

Ai kërkon nga organizatat joqeveritare që marrin ndihmë të huaj dhe për të cilat Qeveria ruse mendon se janë të angazhuara në veprimtari politike, të regjistrohen, ta identifikojnë veten si “agjente të huaja” dhe t’u nënshtrohen auditimeve.

Modifikimet e mëvonshme të ligjit kanë përfshirë edhe mediat e financuara nga jashtë.

REL-i ka refuzuar emërtimin “agjent i huaj”, i cili mbart konotacione negative të epokës sovjetike dhe ka refuzuar të përmbushë kërkesën për të etiketuar materialet e saj.

Gjykatat ruse kanë ngritur qindra çështje ndaj këtij mediumi duke e gjobitur në total prej gati 2.4 milionë dollarësh.

REL është një kompani mediatike editorialisht e pavarur, e financuar nga një grant i Kongresit amerikan, përmes Agjencisë Amerikane për Media Globale.

Çdo javë, gati 7 milionë njerëz hyjnë në portalet e lajmeve të REL-it në Rusi.

 

Publikuar nga Radio Evropa e Lirë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>