Rama: 30 qershori fantastik, nuk iki!

Rama: 30 qershori fantastik, nuk iki!

Megjithëse ishte një nga proceset me pjesëmarrjen më të ulët në historinë e pluralizmit shqiptar, Edi Rama e cilësoi 30 qershorin si një proces fantastik. Në një fjalim të gjatë, me ndalesa të shpeshta nga duartrokitjet e militantëve socialistë, Rama e konsideroi fitore mbajtjen e zgjedhjeve vendore edhe pse ato ishin pa opozitën dhe në shumë zona me vetëm një kandidat. Ai e shpalli Partinë Socialiste fituese duke nënkuptuar pretendimin e kryesimit të shumicës dërrmuese të Bashkive pas 1 korrikut, ndërsa foli edhe për një “proces reflektimi” që sipas tij do ta shoqërojë qeverisjen deri në fund të mandatit aktual.

Për 30 qershorin Kryeministri tha:

Populli shqiptar sot foli. Ata folën si nuk ka më qartë e si s’ka më bukur. Duke votuar pse mos votuar, ata folën me gjuhë të paqes dhe respektit me njëri-tjetrit. Ata e kthyen të dielën në ditë normale, ku dhe çetat haxhimaliste, molotovët i kishin zëvendësuar me fizarmonike. Opozita ngriti në ajër monizmin imagjinar.

Në fjalimin e tij, Kryeministri përdori një retorikë kritike për vetëveten duke thënë se “në korrik nisin debate për të korrigjuar qeverisjen qendrore dhe vendore”. Ai e tha këtë duke pranuar se ka patur gabime nga qeverisja e tij, por këmbënguli se “nuk do të largohej”. Ai tha:

PS është sot një fuqi e shtuar edhe më e besueshme se deri dje e demokracisë sonë në zhvillim. Për këtë libri do të ketë një faqe tjetër ku do të lexohet e vërteta. Kurrë në konflikt me inbteresin kombëtar, për herë me qytetarët e këtij vendi. Mbaron këtu dhe mbyllet sot qëndrimi tek kjo arritje historike. Nga nesër 30 qershori është një histori. Nga nesër deri në fund të mandatit qeverisës janë borxhi ynë, prej dje i shumëfishuar dhe prej sot i tejkaluar në shumfishim, ndaj atyre që i dhanë fitoren e sotme. Fitoren e qytetarisë evropiane. Unë e pranoj, nuk iki!

Fjalimin e tij të gjatë Rama e mbylli me falenderime dhe tha se do të kërkonte mandatet “e fituara” të bashkive ndërsa u shpreh gjithashtu se do të ishte i hapur edhe për dialog me opozitën, kryesisht për reformën zgjedhore.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>