Kryeministri Edi Rama akuzoi, të hënën, kryetarin e PD-së Lulzim Basha se ka shërbyer si hetues i UÇK-së.
Në një postim në Twitter Rama citon një artikull të organizatës Human Right Watch, ku shkruhet:
“Lulzim Basha ka punuar për Tribunalin dhe Departamentin e Drejtësisë së UNMIK pas luftës dhe ka hetuar personalisht vendmbajtjet e robërve në veri të Shqipërisë.”
Rama i bën thirrje Bashës të sqarojë qytetarët për rolin e tij:
“Lulëzim nuk kalohet me sharje kjo historia e të kaluarës tënde si hetues i UÇK! Dil sqaro popullin!”
Citimi i Ramës është marrë nga një artikull i Human Rights Watch botuar në maj 2008, me titull ‘Kosova/Shqipëria: Investigojnë rrëmbimet pas lufte dhe transferimet e tyre në Shqipëri’.
Në artikull, Fred Abrahams, një nga kërkuesit e HRW i kthen përgjigje deklaratave të Bashës se akuzat e Carla del Pontes për ‘shtëpinë e verdhë’ ishin ‘të sajuara nga disa njerëz që po përpiqeshin ta quanin të paligjshme luftën e drejtë të popullit të Kosovës … dhe të njollosnin imazhin e Kosovës dhe të Shqipërisë’.
Abrahams shkruan se:
“Ministri Basha duhe t’i marrë më seriozisht deklarata sepse ai e di nga eksperienca e tij që ka prova të besueshme për kalimet ndër kufitare. Ai ka punuar për gjykatën dhe Departamentin e Drejtësisë në UNMIK pas lufte”.
Human Rights Watch ka bërë një hetim të pavarur mbi ekzistencën e një shtëpie të verdhë në ose pranë qytetit të Burrelit, ku bëhej trafik i organeve të personave të rrëmbyer. Organet më pas transportoheshin jashtë Shqipërisë përmes aeroportit të Rinasit.