Kryeministri Rama deklaroi të martën se arrestimi i 22 komisionerëve të akuzuar për manipulimin e votave në zgjedhjet e 2017-ës në Durrës tregon nevojën që ka vendi për depolitizimin e administratës zgjedhore.
Në një postim në Twitter, Rama tha se ata ‘duhet të shërbejnë si shembull i padiskutueshëm për largimin përfundimtar të partive politike nga komisionet e zgjedhjeve.’
Rama akuzoi opozitën se kundërshton depolitizimin e administratës zgjedhore pikërisht sepse ‘i ka duart të zhytura thellë në llum’:
“14 të pandehur të PDLSI dhe 8 të PS janë prova se kush bërtet më shumë e nuk do depolitizim, i ka duart të zhytura thellë në llum!”
Gjatë bisedimeve në Këshillin Politik, PD ka kundërshtuar depolitizimin e administratës zgjedhore, rekomandim i OSBE/ODIHR-it.
Në disa raste, kryeministri Rama ka deklaruar se shumica socialiste ka dashur depolitizimin por është detyruar të tërhiqet për shkak të kundërshtimit të PD-së.
Në marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore, nuk u përfshi depolitizimi i administratës zgjedhore.