Kryeministri Rama, me rastin e 95-vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare, deklaroi se qeveria do t’i rikthejë Bibliotekës hapësirat që i janë marrë në mënyrë “barbare”.
Ish Kryeministri Berisha ka shprehur gjithashtu disa herë kundërshtinë e tij për ndarjen aktuale të Pallatit të Kulturës, pjesërisht publike (Teatri i Operës dhe Biblioteka) dhe pjesërisht gjysëm private mes dy kompanive shumë të diskutuara të përbashkëta (joint-venture) mes qeverisë dhe partnerëve italianë.
Por, në vitin 1993 kur u miratua kompania e përbashkët me jetëgjatësi 20 vjet, Zoti Berisha ishte President dhe dha miratimin e tij. Në vitin 2013, partneri italian e shtyu edhe për 20 vjet kohëzgjatjen e kompanisë së përbashkët (Qendra Tregëtare dhe e Zhvillimit Kulturor shpk) dhe kështu edhe pronësinë mbi ndërtesën. Këtë herë Zoti Berisha ishte kryeministër i vendit dhe, ndryshe nga çfarë kishte deklaruar publikisht, zgjodhi të vazhdojë t’ja linte italianëve Pallatin e Kulturës në vend që t’ja kthente publikut.
Kështu, Pallati mbeti në duart e italianëve që e menaxhojnë atë që prej 22 vjetësh, falë shumicës prej 55 për qind të aksioneve në kompaninë e përbashkët. Kjo shumicë aksionesh është siguruar prej tyre në bazë të investimeve fiktive, që nuk kanë ndodhur asnjëherë, por që qeveritë shqiptare i kanë “pranuar” përherë pa bërë fjalë.
Ndërkohë, dividenti që shteti merr nga fitimet e kompanisë së përbashkët është qesharak, krahasuar me nivelin e qirave me të cilat kompania jep me qira mjediset e Pallatit të Kulturës. Por, qeveria ka mbyllur sytë edhe para këtij fakti që dëshmon evazion të mundshëm fiskal.
Edhe pse partnerët italianë kanë qenë pjesë e falimentimeve të mëdha neë biznes si në Shqipëri (përfshi kompaninë Volalba shpk) edhe në Itali, ata vazhdojnë të pashqetësuar në menaxhimin e pasurisë së marrë nga shteti shqiptar.
Kur Kryeministri Rama ishte Ministër i Kulturës, ai u mor me çështjen e diskutuar të investimeve në Pallatin e Kulturës pa zgjidhur gjë, dhe që atëhere nuk ka patur zhvillime të tjera dhe partnerët italianë e kanë shfrytëzuar pa asnjë kosto këtë pasuri publike, me shumë gjasa, duke e “blerë” heshtjen e qeverive.
Sikurse ndodh përherë e më shpesh, faktet dhe provat e këtij skandali janë në arkivat e qeverisë, por askush nuk dëshiron t’i shohë.
Tani Kryeministri Rama kërkon që t’i kthejë Bibliotekës Kombëtare hapësirat e zhdukura, por qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për këtë gjë dhe për të ndëshkuar të gjithë ata që kanë lejuar këtë skandal në mes të Tiranës.