
Mëngjesin e së hënës, kryeministri Rama publikoi në Facebook një video ku tregohen punimet që po bëhen në Rrugën e Arbrit.
Sipas Ramës, rreth 60 për qind e punimeve ka përfunduar dhe rruga do të jetë gati verën e vitit 2021.
Menjëherë pas postimit të Ramës, ka reaguar ish-deputetja e PD-së në Dibër, Dhurata Çupi.
Ajo publikoi në Facebook, pamje reale të rrugës, ndryshe nga ato 3D të postuara nga Rama.
Sipas Çupit, rruga e Arbrit duhet të kishte mbaruar që në mandatin e parë të Ramës.
“Rruga nuk ka mbaruar, sepse Edi Rama është një kryeministër i dështuar, që për 8 vjet, nuk bëri asgjë për zonën e Dibrës. Rrugën e Arbrit e gjeti të nisur dhe jo vetëm nuk e ka mbaruar pas 8 vjetëve, por e ka mbidyfishuar vlerën e punimeve,” shkruan Çupi.
Ajo premtoi se me ardhjen në pushtet të PD-së, jo vetëm që do të përfundojnë punimet për rrugën, por dhe ‘paratë e vjedhura me tendera të fryrë do t’u kthehen qytetarëve’.