“Ne duhet ta ndalim me çdo mjet mbylljen e vendit, qoftë edhe të pjesshme.”
Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama, të martën pyetur nëse vendi do të mbyllet sërish si pasojë e Covid-19.
Rama foli dhe për vendimin për zhvillimin e mësimit online në universitete.
Ai tha se vendimi u mor në bazë të numrave të të infektuarve me Covid-19, dhe faktit se të rinjtë janë asimptomatik por e shpërndajnë virusin tek të tjerët.
“Kjo nuk është një situatë kur mund të planifikosh. Këto masa nuk kanë lidhje me dëshirën, por i studimit të kurbës së numrave.
Të rinjtë luajnë rol në transmetimin e virusit. Shumica janë asimptomatik dhe nuk zbatojnë me rigorozitet rregullat. Dhe marrin në qafë njerëzit në familje”, tha Rama.
Ai premtoi se tarifa e paguar nga studentët për konviktin ose do të shtyhet për muajt e ardhshëm ose do të kthehet mbrapsht.
“Tarifat e konvikteve do të mbahen për muajt e tjerë ose do të kthehen sepse nuk ëshët hotel privat. Këtu nuk ka asgjë të vecantë me vendet e tjera”, përfundoi Rama.