Kryeministri Rama konfirmoi lajmin e njoftuar dhe më parë se fundjava nuk do të jetë me lehtësime të masave kufizuese.
Në një video-bisedë me qytetarët në Facebook, Kryeministri u shpreh se ngujimi në shtëpi do të vazhdojë njësoj si fundjavën e shkuar.
“Fundjava do të jetë e bllokuar. E shtuna e diela është e bllokuar. Të gjithë në shtëpi. Përveç atyre që janë në punë. Jemi në situatë pozitive, por situata pozitive është e përmbysshme!”
Lajmi për aplikimin e të njëjtave masa në fundjavë e komunikoi në mesditë zëvendësdrejtori i Policisë për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu.
Kështu duke nisur nga ora 17:30 e së premtes, 24 prill, e deri në orën 05:00 të së hënës, 27 prill, do të ndalohen të gjitha lëvizjet e qytetarëve.
Të premten autoritetet shëndetësore raportuan 15 të diagnostikuar të tjerë me Covid-19, duke e çuar totalin e të infektuarve në 678 persona, prej tyre 394 janë shëruar dhe 27 kanë vdekur.