Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllime për familjarët e mjekut Drini Dobi, i cili humbi jetën si pasojë e Covid-19.
Në një postim në Facebook, Rama shprehet se humbja e mjekëve krijon një boshllëk të veçantë.
“Doktor Drini Dobin nuk e kam njohur personalisht nga afër, por kam dëgjuar për të fjalët më të mira nga të gjithë dhe pamjen e tij të butë e kujtoj mirë. Së fundmi kam ndjekur përmes ministres, Ogertës, ecurinë e përballjes së tij me Armikun e Padukshëm, e më pas vështirësinë e madhe të krijuar nga ndërlikimet që u shfaqën në gjendjen shëndetësore të mjekut të nderuar.
Eshtë e madhe keqardhja për çdo jetë të humbur në harkun e këtij viti të pamëshirshëm ndaj shëndetit të njeriut, por humbja e shpëtimtarëve e kujdestarëve të jetës, siç ishte edhe Doktor Drini, krijon ndjesinë pështjelluese të një boshllëku të veçantë. Me këtë ndjesi e me lutjen që të prehet në paqe, i përcjell ngushëllimet e mia vëllazërore familjes, miqve e kolegëve të tij💔
Rrofshin dhe e kujtofshin gjithmonë🙏”
Mjeku Dobi ndërroi jetë të mërkurën nga Covid-19. Ai po kurohej në Itali.
Drini Dobi ishtë njëri ndër mjekët neurologë më të mirë në Shqipëri. Aipunoi për më tepër se dy dekada në QSUT dhe prej dy vitesh drejtonte Shërbimin Neurovaskular aty.
Që prej fillimit të pandemisë, në Shqipëri kanë vdekur 22 mjekë të infektuar me Covid-19.