Kryeministri Edi Rama u shpreh sot i vendosur për të miratuar dy projektligjet për median, të shumëkundërshtuara nga gazetarët dhe ndërkombëtarët.
Duke folur në parlament, Rama deklaroi se dhe OSBE-ja ka pranuar se ligjet i plotësojnë standardet europiane:
“Duan apo nuk duan organizatat, ky ligj do kalojë sot.
Ky ligj do të miratohet sot si një e drejtë e gjithkujt që të mbrohet nga llumi i shpifjes dhe ne do vazhdojmë punë për aspektet proceduraile, rregullatori siç kemi rënë dakord dhe nga fjalia e parë deri tek e fundit, ligji është 100 për qind me standardet ndërkombëtare.
Këtë ua them të konfirmuar me shkrim nga institucioni i përcaktuar për këtë proces siç është OSBE.”
Për Komisionin Europian, i cili ka kërkuar të mos miratohet paketa anti-shpifje pasi cenon lirinë e shprehjes, Rama tha se ata nuk e kanë lexuar ligjin por janë në presionin e organizatave fallco të gazetarëve:
“Unë kam pas komunikim edhe me ata të BE, edhe me ata të KE, dhe iu kam thënë “ju nuk e keni lexuar ligjin për të cilin flisni, dhe jeni nën presionin e organizatave të rreme”. Ata nuk shohin kush është organizata, por ngrihen për të mbrojtur lirinë, por janë organizata të rreme, si profile në Facebook.”
Kryeministri akuzoi dhe gazetarët që po protestojnë, se ata, me shpifjet e tyre, janë shkelësit e të drejtave të njerëzve:
“Ata që janë te dera janë shkelës të të drejtave të njeriut, që mos t’u cenohet në publik integriteti i tij, janë shkelës për të ndërtuar sipërmarrjen e tyre të lirë.
Liria e shtypit, e fjalës, është edhe përgjegjësi në të njëjtën kohë. Po ata që janë atje, kanë publikuar lajmin se qeveria fshehte 100 të vdekur në morgun e spitalit, duke krijuar një situatë kaotike atje.”