Rama i vendosur për të çuar përpara “Mini Shengenin” me çdo kusht

Nga Exit News
Rama i vendosur për të çuar përpara “Mini Shengenin” me çdo kusht

Nisma rajonale e “Mini Shengenit” do të vazhdojë përpara pavarësisht se tre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk pranojnë të jenë pjesë e saj.

Mesazhi i kryeministrit Rama në samitin e Procesit të Berlinit të zhvilluar sot ishte i qartë teksa u shpreh se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë të vendosur të ecin “sa më shumë që të jetë e mundur”.

Ai u bëri ftesë vendeve të tjera për t’iu bashkuar por shtoi se nuk kanë ndërmend të presin asnjërin.

Disa ditë më parë në Forumin e Prespës Edi Rama insistoi se kjo nismë nuk do të thotë alternativë për BE-në , por përpjekje për t’i dhënë më shumë njerëzve të rajonit duke përdorur potencialet e të gjithë vendeve.

Në një takim ‘online’ në fund të qershorit, Rama, Vuçiç dhe Zaev ftuan vendet e rajonit t’i bashkoheshin ndërsa theksuan nevojën për të implementuar në nivel rajonal katër liritë evropiane të lëvizjes së njerëzve, të mirave, shërbimeve dhe kapitalit.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina nuk pranojnë t’i bashkohen nismës.

Kosova pohon se “Mini Shengen” nuk ofron një platformë ku të gjitha vendet janë të barabarta. Mali i Zi dhe Bosnja duan të përqendrohen në iniciativa të lidhura ngushtë me integrimin në BE, në vend të atyre rajonale.

Bashkimi Europian i ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim mes tyre për të lehtësuar procesin e integrimit. E njejta thirrje u përsërit sot nga Kancelarja gjermane Angela Merkel.

Megjithatë, Rama tha se parimi i tyre në këtë proces nuk do të jetë konsensusi por gjithëpërfshirja.

Ai iu drejtuar krerëve të tjerë të rajonit duke thënë se nuk duhet “të bëhemi viktima të vetove” dhe nevojës për konsensus duke ironizuar kështu pamundësinë e Bashkimit Europian për të miratuar çeljen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si pasojë e vetos së Bullgarisë.

Udhëheqësitë e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të mblidhen në Shkup në fund të korrikut në samitin e 7-të “Mini Shengenit” ku pritet edhe t’i japin një emër të ri nismës së tyre.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>