Kryeministri Edi Rama do të flasë, sot, 23 qershor në Forumin Ekonomik të Shkupit. Ai do të bisedojë me gazetaren greke Alexia Tasouli, të televizionin ‘Open Tv’, në orën 12:30.
Në Forumin ekonomik do të jetë e ftuar edhe Ministrja e Financave Anila Denaj, e cila do të flasë për qendrueshmërinë e rajonit. Ky aktivitet organizohet për herë të parë nga Forumi Ekonomik i Delphi.
Konferenca një ditore do t’i kushtohet eksplorimit të perspektivave ekonomike dhe politike të Maqedonisë së Veriut brenda rajonit.
Në Forum do të diskutohen një sërë çështjesh thelbësore për zhvillimin e ardhshëm ekonomik të vendit: stabiliteti rajonal dhe perspektiva e pranimit në BE për Ballkanin Perëndimor, investimet e huaja direkte, energjia, turizmi dhe infrastruktura, dhe një segment i veçantë për qytetet inteligjente dhe zgjidhjet dixhitale për zhvillimin urban.