Dyqanet, lokalet dhe tregu i fruta-perimeve mes pallateve në rrugën Llazi Miho në Kombinat vazhdon të jetë i hapur edhe pse një ndërtese pas tij dhe dhjetërave përreth u është vënë shiriti për rrezik shembjeje.
Prej ditësh qindra banorë të rreth 10 pallateve në Kombinat po përballen me pasiguri rreth fatit të banesave dhe bizneseve të tyre. Grupe inspektimi nga Bashkia Tiranë e më pas inxhinierë vullnetarë thuhet se konstatuan probleme serioze në disa prej pallateve silikate, ndërtuar në vitet ’80. Por banorët janë të paqartë se çfarë do të bëhet me to, nëse do të shemben, apo do të rikonstruktohen.
Më 29 nëntor Bashkia ngriti grupe pune për të verifikuar konstatimet e bëra nga punonjësit e saj në njësitë administrative të Tiranës. Një ditë më vonë, banorët i kërkuan llogari Kryetarit të Bashkisë Veliaj dhe Kryeministrit Rama se çfarë do të bëhej, pasi grupet e punës kishin vënë shirita në disa pallate. Përgjigjia ishte strehimi në qendrat sociale dhe lënja kohë për shqyrtim me më tepër ekspertizë nga Instituti i Ndërtimeve.
Ka kaluar rreth një javë dhe banorëve të pallateve, të cilave u është vënë shiriti, nuk u është përcjellë ende asnjë komunikim përfundimtar. Ekspertiza e vetme që ata kanë dëgjuar ka qenë nga Kryeministri, i cili në mbledhje qeverie ka thënë se:
“Ndihmoni njerëzit të marrin ato që kanë brenda dhe pastrojini […] pallatet në Kombinat duhen shembur… të fillojë shembja, mbaroi! Pallatet e vjetra, ato të tmerrshmet që po terrorizojnë njerëzit dhe që i kanë dhënë këtij vendi dhe qeverisë figura të njohura si Erion Braçe… duhen shembur”
Zona e Kombinatit ka rreth 77 mijë banorë dhe mbi 500 biznese. Disa familje u janë drejtuar 5 qendrave sociale që ka Bashkia, të tjera janë sistemuar te të afërm, në çadra apo shtëpi me qira, ndërsa disa vazhdojnë të qëndrojnë pranë pallateve. Askush nuk ndihet i sigurt, pasi nuk e kanë të qartë se çfarë do të bëhet me pasuritë e një jete. Ku do të sistemohen nëse pallatet do të shemben. Sa mund të zgjasë periudha e shpërnguljes dhe çfarë sigurie garantojnë rikonstruksionet, nëse do të vendoset për rikonstruksion.
Problem gjithashtu duket edhe çështja e bizneseve. Familje të shumta kanë lidhur jetën e tyre me tregti, dyqane, furra buke, lokale dhe restorante. Shembja e pallateve do të thoshte rrënim ekonomik për ta, pasi zor se mund të shpërngulet një biznes.