Kryeministri Rama ka përdorur sërish ngjarjen e Elbasanit, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, për sulmuar Partinë Demokratike dhe presidentin Meta.
Gjatë takimit përmbyllës të fushatës në Durrës, Rama dënoi deklaratën e kandidatit demokrat Xhelal Mziu, i cili deklaroi se ata që do të blejnë vota “do e pësojnë si ai në Elbasan”.
Mziu kërkoi ndjesë për deklaratën e tij por sipas kryeministrit “kjo ndjesë nuk i duhet dreqit” ndërsa shtoi se ndjesë duhet të kërkojë PD për ngjarjen.
“Falja e tij ka një problem shumë të madh, ndërkohë që ky kërkon falje, nga frika pasi ata që e kanë nxjerrë të kërkojë falje i kanë mbushur ato që s’thuhen, nuk kanë kërkuar ende falje për Elbasanin”, tha Rama.
Kryeministri foli gjithashtu edhe për presidentin Meta, i cili ka paralajmëruar disa herë të mos preket vota gjatë zgjedhjeve të 25 prillit.
Sipas Ramës, presidenti ka mbajtur qëndrime të dyfishta për ngjarjet e fundit.
“Dil Like rrëmbe sëpatën dhe shko priti duart. Likja nuk doli dhe jo vetëm nuk doli por lëshoi një postim. Do të jetë ditë feste, votoni për demokraci, vëllazëri”, deklaroi Rama.