Kryeministri Rama ka njoftuar se puna për ndërtimin e spitalit rajonal të Fierit do të nisë nga dita e hënë.
Gjatë një takimi në Fier me kryetarin e Bashkisë, Armando Subashi, kryeministri kërkoi që të mos ketë zvarritje burokratike për palën turke.
Rama tha se zona ku duhet të ndërtohet spitali duhet të jetë anës autostradës që lidh Fierin me Vlorën.
Presidenti turk Erdogan premtoi, të mërkurën, se do të ndërtojë një spital të ri në Fier, me fonde turke brenda 3 muajsh.
Administratorët dhe drejtuesit e pavioneve të spitalit do të jenë fillimisht mjekë turq tha ndër të tjera Rama.
“Nisim punën për Spitalin Rajonal, i cili do të ndërtohet me mbështetjen e qeverisë së Republikës së Turqisë, si dhe do të jetë njëkohësisht një qendër e transferimit të teknologjisë e të dijes nga sistemi shëndetësor turk në sistemin shëndetësor shqiptar, duke u administruar e drejtuar në çdo pavion prej ekspertëve e mjekëve turq për një periudhë tranzitore, deri në kalimin e kompetencave tek drejtuesit shqiptarë, të cilët do të punojnë e mësojnë krah për krah ekspertëve turq.”