Rama konsideron ‘lajthitje’ marshimin e Vetëvendosjes më 28 nëntor

Nga Stafi i Exit
Rama konsideron ‘lajthitje’ marshimin e Vetëvendosjes më 28 nëntor

Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar aktivitetin politik të Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri “lajthitje” e ardhur prej “vakumit” dhe “procesit të tranzicionit” që ka partia e Albin Kurtit në Kosovë.

Në një intervistë me gazetarin e Top-Channel, Muhamed Veliu, Kryeministri kritikoi vendimin e Vetëvendosjes për të manifestuar më 28 nëntor për “integrim kombëtar” dhe po kështu qëndrimet e saj ndaj projektit të “Mini-Schengen”-it, projekt për të cilin ai këmbënguli se Kosova mbetet e ftuar.

I pyetur për selinë në Tiranë të Vetëvendosjes dhe manifestimin e 28 nëntorit, Zoti Rama tha:

[…] ta përfytyrojnë qytetarët e Kosovës një degë e Partisë Socialiste […] të bëjë protestë, në ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe të thotë “nuk është koha për të festuar është koha për të reflektuar” dhe të bëjë një fletë-rrufe që duket sikur është nxjerrë nga printerat e opozitës me qeverinë e Kosovës, çfarë do të mendonin njerëzit në Kosovë? Çfarë do të ishte kjo, në raport me pretendimin për politikë të jashtme të unifikuar dhe për strategji të përbashkët dhe për bashkëpunim?

Më 28 nëntor qendra në Shqipëri e Lëvizjes Vetëvendosje ka njoftuar zhvillimin e një marshimi që do të nisë në orën 12:00 në monumentin e Skënderbeut në qendër. Marshimi politik ka si qëllim ndërgjegjësimin për “integrim kombëtar” pasi “28 nëntori nuk duhet të jetë festë prej faktit se nuk ka bashkim mes shqiptarëve”.

Marshimi është thirrur pak ditë pasi Zoti Rama ishte në takimin e dytë për projektin e “Mini-Schengen”-it në Maqedoninë e Veriut. Projekti në fjalë nuk ka marrë pëlqimin e qeverisë në ikje të Kosovës, por as të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila fitoi zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit. Idenë për heqje doganash dhe qarkullim të lirë mes Serbisë, Mqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë Rama e ka cilësuar si projekt ideal për Ballkanin dhe “jo-përjashtues për Kosovën”.

intervistën me gazetarin Veliu, Kryeministri analizon se lëvizja politike e Vetëvendosjes në Shqipëri vjen si “vakum” dhe “tranzicion” i ngjashëm me atë të kaluar prejt tij në opozitë në krye të Partisë Socialiste:

“[…] Unë e konsideroj një lajthitje në një proces tranzicioni nga opozita në qeverisje, në një vakum ku kam qenë dhe vetë dhe e kam shumë mirë parasysh, duhet një farë kohe për të bërë kryeministrin sepse kryeministër zgjidhesh ditën kur të votojnë, por fillon dhe bëhesh jo menjëherë pasi ke hyrë në zyrë.”

Duke folur më tej për qëndrimin e Kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti se “Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për politikë të jashtme të unifikuar”, Zoti Rama tha se ky ishte “qëndrim i kahershëm mes dy vendeve dhe jo i Kurtit”. Ai paralelizoi më pas se për tarifën 100 për qind të vendosur nga qeveria Haradinaj ndaj mallrave serbe nuk ishte marrë në konsideratë për t’u konsultuar:

“Nuk jam pyetur dhe s’kisha pse të pyetesha për vendosjen e tarifës 100%. As nuk kam thënë është e pakonsultuar, as nuk kam thënë pse nuk më pyetët mua, por e kam mbështetur fuqimisht. Ama e kam mbështetur si veprim që duhet të prodhonte rezultat politik dhe jo si një tarifë ekonomike.”

Për bashkimin doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës, Zoti Rama rezervoi tjetër qëndrim të ashpër kundër Zotit Kurti. Ai tha se si fillim Kurti duhet të bëhet Kryeministër e më pas të “japë drejtime për zhvillimin në rajon”. Ndërkohë që sipas Kryeministrit të Shqipërisë heqja e doganës mes dy vendeve “përfshin në proces edhe Serbinë”:

“Si heq kufirin Albin Kurti nëse Serbia nuk është pjesë e këtij procesi?! Apo do hapi luftë? Dhe kush Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian apo Kuba do japi pëlqimin për heqjen e kufirit pa marrëveshje me gjithë të tjerët?! Do të ishte vetëm një marrëzi. Aq më tepër që ne e kemi parë jo duke hequr po duke thënë se do hiqet kemi ndezur gjithë llambat e kuqe dhe është ngritur alarm gjithandej […] predikimet janë të nevojshme për politikë por faktet janë të domosdoshme kur bëhesh kryeministër.”

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme