Kuvendi do të miratojë më 30 korrik hapjen e listave. Vendimin e konfirmoi, të martën, Kryeministri Edi Rama.
“Miqve të PD u them shumë thjeshtë: Kuvendi në 30 korrik voton hapjen e listave dhe këtë jo ju, po as ne nuk e ndryshojmë dot, sepse ky është qartësisht vullneti i shqiptarëve edhe përtej partive që sot janë në parlament! Fatmirësisht risitë kushtetuese nuk pengojnë asgjë për ju!”, shkroi në Twitter Kryeministri Edi Rama.
Rama akuzoi PD-në se po merr peng hapjen e listave dhe po zvarrit procesin me justifikime të kota.
“Shkurt, pengesa juaj sot nuk është as kushtetuese,as juridike,po thjesht politike!Ju doni të merrni peng hapjen e listave e të zvarrisni procesin me alibira absurde. Por për këtë s’keni konsensus nga ne dhe mund ta bëni pa ne, siç bëtë kur dogjët mandatet e kur ikët nga zgjedhjet!”, vazhdon Rama.
Ai i bëri thirrje të gjithëve të mendojnë për Shqipërinë, sepse “pushteti shkon e vjen” e “me sherre e mosdakordësira, po lëndohet Shqipëria”.