Kryeministri Edi Rama publikoi në Facebook, një video promovuese për ndërtimin e rrugës Dukaj-Sinanaj, që lidh Tepelenën me Vlorën.
Ai u shpreh se kjo rrugë, e cila do të përfundojë në shtator, do të jetë “jo vetëm një aks i rëndësishëm për fermerët e bujtinat e kësaj zone, por për ta kthyer Tepelenën në një pikë distribucioni të lëvizjes së turistëve”.
Rruga Dukaj-Sinanaj është 14,5 kilometra e gjatë dhe 4.5 metra e gjerë, rrugë e drejtë e shtrirë në luginë, ka kushtuar rreth 3.1 milionë euro, ose 215 mijë euro për kilometër.
Në fakt punimet në këtë rrugë po kryehen për rikonstruksionin e saj.
Rruga është një kalimshme me dy korsi kalimi.
Tenderi u hap më 19 tetor 2020, morrën pjesë 6 kompani, 4 prej të cilave u skualifikuan ndërsa dy kompanitë me ofertat më larta vijuan garën.
Fituesi u shpall në 18 dhjetor 2020, dhe kohezgjatja e kontratës ishte 6 muaj, por rruga ende nuk ka mbaruar.
Kompania 2T fitoi tenderin me një ofertë 97% të fondit limit ndërsa kompania tjetër kishte ofruar 99% të fondit limit.
Kompanitë e tjera u skualifikuan kryesisht për mosparaqitje të dokumentave sipas kërkesave të tenderit.