Kryeministri Edi Rama tregoi se marrëveshjen zgjedhore e ka bërë sikurse e ka kërkuar kryetari i PD-së Basha. “Ne kemi dakordësuar një marrëveshje, nuk është marrëveshja që unë dhe PS do të donte.
Ne pranuam që, pasi topi shkoi në fushën e Bashës e s’po dukej gjëkundi, t’i themi bëje si do ti”, tha Rama para gazetarëve pas përfundimit të mbledhjes me tre kryetarët e grupeve parlamenetare.
Duke ironizuar zotin Basha, kryeministri u shpreh se “ishte surprizë kur e dëgjuam që tha se më e mira është kjo që kemi”.
Rama theksoi rëndësinë e depolitizimit të komisioneve duke thënë se nëse do të ishte pranuar do të ishte më e lehat ta pranonte opozita parlamentare.
“Do ishte shumë më e lehtë sot se këta këtu (opozita parlamentare) kanë të drejtë kur thonë se sistemi i komisioneve dhe numërimi partiak nuk i garanton aq sa duhet forcat e vogla”,- tha Rama.
Ai tregoi se me zotin Basha ishte më e lehtë arritja e një marrëveshje sepse “zotit Basha i thashë bëje si të duash, por ti them edhe zotit Murrizi bëj si të duash atëherë do kemi dy palë zgjedhje dhe duhet të kemi edhe dy shtete të ndryshme”.