Rama mbron Ministren Gjonaj: Emërimi i drejtorit të burgut Vlorë përgjegjësi e sistemit

Nga Gerard Gega
Rama mbron Ministren Gjonaj: Emërimi i drejtorit të burgut Vlorë përgjegjësi e sistemit

Emërimi drejtor burgu në Vlorë i Egon Velajt edhe pse ishte duke u gjykuar për shpërdorim detyre është konsideruar nga Kryeministri Rama me “zero përgjegjësi për Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj”.

Në emisionin Opinion në TV Klan, Kryeministri u pyet rreth kësaj çështjeje nga gazetari Andi Tela. Ai fillimisht tha se “nuk ishte në dijeni të këtij fakti”, më pas shkarkoi nga përgjegjësia Ministren Gjonaj duke thënë se “për procesin e konkurrimeve nuk merren drejtuesit e Ministrive” dhe se për këtë rast “përgjegjësia është e sistemit”:

“Ministrja nuk bën as shqyrtim dosjesh të konkursit, as nuk i shef ka dokumente, s’ka dokumente. Nuk di të them më shumë për këtë rast. Për faktin se përgjegjësia në këtë sistem që kemi zgjedhur është individuale në raport me ligjin, por duke qenë se gënjeshtarë të tillë që shkojnë atje dhe mbushin formularin e vetëdeklarimit dhe thonë nuk kam bërë gjë dhe pastaj i japin kosto morale procesit […]”

Të martën Exit.al raportoi se Velaj qe emëruar në krye të burgut të Vlorës edhe pse ishte shkarkuar më 15 prill 2018 për shpërdorim detyre si Drejtor i ALUIZNI-t të të njëjtit qark. Ai ishte duke u gjykuar, por pavarësisht këtij fakti nuk u përjashtua nga konkurrimi. Velaj u emërua Drejtor i Burgut të Vlorës dhe duke qenë në këtë detyrë, u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë e rrethit Vlorë me “6 muaj burg për shpërdorim detyre”, dënim që u konvertua në 12 muaj shërbim prove.

Kryeministri Rama ia hodhi fajin sistemit dhe individëve, njëjtë sikurse bëri edhe me rastin e kandidatit për kryetar Bashkie Shkodër, Valdrin Pjetri. Kryeministri tha:

“[…] atëherë ne do bëjmë dy ndërhyrje. Do e vëmë taksative, kush kapet në gënjeshtër në formula dekriminalizimi do shkojë në burg. Do bëjmë edhe një gjë tjetër sepse asnjë parti politike nuk e ka mundësi ta bëjë një verifikim. Unë isha i pari që futa dëshminë e penalitetit. Çdo kujt i kam kërkuar dëshminë e penalitetit. Do fusim në ligj që të mos të regjistrohen më kandidaturat siç regjistrohen, por të gjitha partitë ti çojnë kandidaturat një muaj përpara ditës së fillimit të fushatës. Dhe kështu të verifikohen nga strukturat shtetërore”

Në rastin e Velajt, Rama keqinformon pasi dëshmia e penalitetit nuk do të tregonte kurrë që ai është në proces gjyqësor për shpërdorim detyre. Dëshmia e penalitetit tregon vetëm vendimet e marra – në formë të prerë – nga gjykatat.

Ndërkohë, në vetëdeklarimin e dekriminalizimit, formulari nuk ka asnjë pyetje të cilës Velaj t’i përgjigjej se “ishte në gjykim për shpërdorim detyre”. Formulari parashikon një pyetje të tillë, vetëm për autoritetet e huaja. Pyetja 3 thotë:

A keni qenë ndonjë herë në hetim ose gjykim nga një autoritet  i huaj, për kryerjen e një  vepre penale?

Pra Velaj nuk mund të ketë gënjyer në vetëdeklarim, pasi ai po gjykohej nga autoritetet shqiptare, për të cilën nuk ka pyetje në formular të vetëdeklarimit.

Kryeministri keqinformon më mënyrë që të shkarkojë nga përgjegjësia Ministren Gjonaj. Ministrja pa qenë e nevojshme “të shqyrtonte dosjet e konkurrimit” mund të ndalonte – pas vlerësimeve – emërimin e Velajt drejtor burgu. Këtë ajo mund ta bënte tthjesht duke kontrolluar deklaratat e saj të mëparshme dhe të mos hidhte firmë në emërimin e tij.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>