Kryeministri Rama e cilësoi aksionin e Operacionit Forca e Ligjit si “ofensivën më shembullore kundër krimit në historinë e vendit” ndërkohë që i cilësoi gazetarët kritikë ndaj saj si “armiq të së vërtetës” për “inat të qeverisë”.
Komentet Kryeministri i shpërndau në Twitter:
“[…] Eh, [gazetarët] kanë kaq kohë që shajnë, akuzojnë, shpifin për lidhjet e qeverisë me krimin dhe mblidhen në sallonet e televizioneve sa herë ndodh një vrasje, duke sulmuar qeverinë.
Sot që qeveria është angazhuar në ofensivën më shembullore kundër krimit në historinë e vendit, mblidhen në sallonet e televizioneve për të mbrojtur krimin nga qeveria që po shkel të drejtat e atyre, të cilët deri dje pa pikën e turpit, i lidhnin me mua, me PS-në e me çdo fitore elektorale të PS-së.
[…] janë armiqësuar me të vërtetën, me faktet e me vetë profesionin e tyre për inat të qeverisë! Dhe janë kaq qorrazi kundër qeverisë, sa tani janë kthyer befas në avokatë gjynahqarë të krimit, që po lënë kokrrën e namit me dokrrat e dembelizmit të tyre mendor.”