Kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta e kreu i opozitës uruan sot gratë dhe vajzat për 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Kryeministri Rama, përmes një videoje në Facebook, theksoi se në qeverinë e tij ka më shumë gra se në çdo qeveri tjetër shqiptare.
Presidenti Meta uroi gratë dhe vajzat duke theksuar nevojën për t’I fuqizuar ato më shumë:
“Një urim të përzemërt për më të shtrenjtat, më të dashurat dhe të pazëvendësueshmet e familjeve tona, për çdo nënë, grua, vajzë e motër shqiptare: GËZUAR 8 MARSIN!
Fuqizimi i vajzave dhe grave i bën sfidat më lehta! Por ne ende kemi një hendek të rëndësishëm për të kapërcyer për t’i vënë përgjithmonë në histori vargjet e Çajupit, i cili protestonte ndaj burrave.
Shqipëria do të bëhet një vend edhe më i bukur, vetëm me vajza e gra të lumtura e të realizuara në çdo aspekt, të barabarta me burrin si në jetën publike ashtu edhe atë profesionale, dhe që nuk keqpërdoren nga politika.”
Kreu i PD-së Lulzim Basha uroi gratë dhe nënat shqiptare përmes disa fotove të vajzave të tij.
Ndërkohë gratë në Tiranë do të protestojnë sot për të ndërgjegjësuar qytetarët për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Ato do të marshojnë dhe para institucioneve shtetërore për të për të kërkuar më shumë vëmendje institucionale ndaj problematikave që prekin vajzat e gratë çdo ditë në Shqipëri.