Kryeministri Edi Rama mohoi se ka arritur një marrëveshje me Greqinë për çështjen e detit.
Në një postim në Twitter, Rama i është përgjigjur presidentit Meta, i cili më herët i kërkoi qeverisë informacion për dekretin e qeverisë greke që zgjeron ujërat territoriale të Greqisë me 12 milje në detin Jon.
Me tone ironike, Rama shkruan:
“Ilir Meta mirëkuptuaka ndjeshmërinë e qytetarëve mbi vendimin e autoriteteve greke për të ushtruar të Drejtën Ndërkombëtare të Detit për Greqinë dhe pasojat e mundshme që mund të paskërka ky vendim për vendin tonë! Në fakt jo, Ilir Meta vazhdon kërkon shesh për përsheshin e LSI!
Vetëm të paudhët si Saliu e si Iliri dhe ndjekësit e tyre me Lulin e me Monikën në krye, mund të kërkojnë shesh për përshesh deri në det, ndërkohë që e vërteta është e qartë si drita e diellit: Shqipëria dhe Greqia nuk kanë arritur asnjë marrëveshje e prandaj do shkojnë në gjyq!”
Po ashtu, Rama theksoi se dekreti i Greqisë nuk ka lidhje me çështjen ende të pazgjidhur mes Shqipërisë e Greqisë:
“Vendimi në fjalë i Greqisë s’ka lidhje me zonën e kontestuar mes dy vendeve tona, sepse në atë zonë parimi i 12 miljeve është thjesht fizikisht i pamundur sipas Konventës aty ku ky parim nuk është e mundur të zbatohet, ose bëhet marrëveshje ose shkohet në gjykatë!”