Meta i kërkon qeverisë informacion për dekretin e Greqisë për detin

Nga Exit News
Meta i kërkon qeverisë informacion për dekretin e Greqisë për detin

Presidenti Meta ka kërkuar informacione nga qeveria lidhur me dekretin e qeverisë greke që zgjeron ujërat territoriale të Greqisë me 12 milje në Detin Jon.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta sqaron se nuk ka mërrë asnjë njoftim nga grupi negociator shqiptar apo qeveria Rama që të sugjerojë ndërprerjen, pezullimin apo përfundimin e procesit të negociatave dypalëshe me Greqinë, për çështjen e detit.

Meta njoftoi se ka kërkuar nga qeveria analizë të plotë të situatës me Greqinë:

“Për çdo zhvillim, që lidhet drejtpërdrejt apo ndikon në procesin e negociatave për delimitimin e hapësirës detare ndërmjet dy vendeve, kam kërkuar informacion shterues dhe analizë të plotë të qeverisë shqiptare, sipas përgjegjësive, që i takojnë sipas ligjit.”

Meta theksoi se si president i vendit, nuk do të lejojë shkeljen e interesit të Shqipërisë:

“I siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se do të vijoj të ushtroj me përgjegjësinë maksimale shtetërore dhe kushtetuese detyrat e mia dhe se nuk do të lejoj për asnjë moment të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar.”

Presidenti premtoi se sapo të marrë informacione nga qeveria do t’i bëjë ajo transparente.

Në 25 dhjetor, Këshilli i Shtetit grek miratoi dekretin për zgjerimin e ujërave territoriale me 12 milje.

Kjo i jep të drejtë shtetit grek të hulumtojë ose ndryshe të shfrytëzojë burimet detare, përfshirë prodhimin e energjisë elektrike të ujit dhe ajrit.

Ky vendim vjen pas dy muajsh ku u njoftua se marrëveshja e detit mes Shqipërisë e Greqisë do të zgjidhej nga drejtësia ndërkombëtare.

Më 20 tetor, kryeministri Edi Rama njoftoi se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë për 12 miljet detare do të shqyrtohet nga gjykata ndërkombëtare në bazë të së drejtës ndërkombëtare të detit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>