
Kryeministri Rama ka theksuar se rruga drejt Bashkimit Europian është e vetmja alternativë që ka Shqipëria ndërsa ka hedhur poshtë idenë se Turqia po ushtron influencën e saj në Ballkanin Perëndimor si kundërpeshë ndaj BE-së.
“Bashkimi Europian për shqiptarët është si fe”, u shpreh Rama në një forumin “State of the Union” në Fierence ku u diskutua mbi politikën e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri vuri në dukje marrëdhëniet shumë të mira që Shqipëria ka me Turqinë por mohoi që kjo e fundit është duke influencuar rajonin sipas një procesi “neo-otomanist”.
“Dua ta bëj të qartë, nuk ka asnjë shenjë të asaj që disa burime pretendojnë se Erdogan dhe Turqia po bëjnë në rajon, përmes të ashtuquajturit proces të “neo-otomanizimit” dhe gjepura si këto”, tha Rama.
Ai shtoi gjithashtu se Turqia dhe presidenti Erdogan nuk kanë pasur asnjë ndikim në vendimet e Shqipërisë lidhur me çështjen e detit me Greqinë.
Kreu i qeverisë u pyet gjithashtu për marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën duke marrë parasysh blerjen e vaksinave të kompanisë Sinovac kundër COVID-19.
“Ne nuk e morëm Sinovac nga Kina por nga shpërndarësi në Turqi dhe do të thoja që marrëdhëniet tona me Kinën janë normale në kuptimin asgjë e veçantë”, deklaroi Rama.