Kryeministri Edi Rama përsëriti thirrjen që qytetarët të ndihmojnë financiarisht të prekurit nga tërmetet dhe jo më me ushqime apo rroba.
Përmes një postimi në Facebook, Zoti Rama tha se:
“Kanë ardhur pafund (rroba dhe ushqime) dhe hapësirat e magazinimit po shterren. Në Portin e Durrësit nuk ka më kapacitet për depozitimin e tyre dhe nevoja është përmbushur e tejkaluar, falë shumë njerëzve, sipërmarrjeve, organizatave, institucioneve brenda e jashtë! Gjynah nga Zoti të skadojnë a të kalben nga mospërdorimi!”
Duke falenderuar për solidarizimin, Kryeministri tha se lajmet për keqpërdorimin e dhurimeve janë “spekulime” të bazuara mbi “episode sporadike konfuzioni të natyrshëm në situatën e jashtëzakonshme ku jemi”. Zoti Rama kujtoi sërish adresën se ku mund të bëhen dhurimet financiare (e-albania/dhuro). “Sasinë e madhe të ndihmave në ushqime dhe rroba” ai e përcolli gjatë mbledhjes së qeverisë që zhvilloi mëngjesin e sotëm.
Më shumë se 48 orë pas tërmetit 6.4 ballësh në Durrës, ku humbën jetën mbi 40 persona, solidariteti për të kontribuar ka sjellë grumbullimin e mbi 3 milionë dollarëve ndihma.