Kryeministri Edi Rama, premtoi sot në Vlorë se me përmbylljen e ciklit të kanalizimeve s’do të ketë më përmbytje të përkohshme. Të vetmin përjashtim që bëri Rama ishte në rastin e reshjeve intensive pasi “reshja intensive përmbyt edhe Parisin”, tha ai.
Gjatë insepektimeve për përmbytjen në Vlorë, Rama i quajti reshjet e ditëve të fundit një test për punën e bërë deri tani ndërsa shtoi se në Vlorë janë ende 3 projekte për të përfunduar lidhur me kanalizimet.
“Kemi 3 projekte akoma, që do mbyllin gjithë ciklin. Reshjet në këta ditë ishin test se çfarë progresi është bërë për mbrojtjen nga uji në territor.”
Rama kërkoi durim pasi sipas tij tek kanalizimet nuk ka ndërhyrë askush më parë gjatë demokracisë.
“Ne po përpiqemi të bëjmë gjithçka me kapacitetet që kemi sigurisht. Duhet durim që të bëhen të gjitha. Të fundit kanalizime kanë qenë në vitet 1980, pastaj nuk ka pasur më në demokraci.”