Rama nuk tërhiqet nga zgjedhjet, heq dorë nga shkarkimi i Metës

Rama nuk tërhiqet nga zgjedhjet, heq dorë nga shkarkimi i Metës

Kryeministri Rama foli sot për 40 minuta në parlament, për vendimin e presidentit Meta për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.

Ai tha se nuk do të tërhiqet nga zgjedhjet e 30 qershorit dhe e quajti vendimin e Metës për anulimin e tyre si antikushtetues:

“Ne nuk na tund asgjë nga 30 qershori.

Pse u përdor, keqpërdor apo u vetëpërdor Presidenti duke kapërcyer mbi Kushtetutën dhe duke fluturuar përtej imagjnatës si një plumb qorr për të vrarë zgjedhjet në mes të fushatës së zgjedhjeve.

Presidenti jo vetëm s’mund t’i heqë popullit të drejtën për të zgjedhur, por s’ka të drejtë të vendosë asgjë zero në këtë mes. Zero! Përveç asaj që i thotë kushtetuta dhe kodi zgjedhor.”

Gjatë fjalës së tij, kryeministri fajësoi opozitën për zhvillimin e zgjedhjeve monopartiake. Ai tha se Partia Socialiste duke shkuar në zgjedhje e vetme po shpëton Shqipërinë nga një e keqe më e madhe:

“Me arratisjen e opozitës kryesore nga parlamenti dhe zgjedhjet, ne nuk garantojmë dot larmimën e plotë pluraliste në zgjedhje. Produkti i këtyre zgjedhjeve do të jetë një hartë thuajse 100 për qind e purpurt.

Nuk është plani ynë totalitarizmi politik, është plani i tyre. Ne jemi thjesht viktimë e zgjedhjes së kundërshtarve për të braktisur garën. E keqja e këtyre zgjedhjeve nuk buron nga veprimi jonë, por nga qëllimi i tyre për të kthyer humbjen në fitore.

Jemi të detyruar ta marrim këtë kosto prej tyre, që kjo kosto të mos i bjerë Shqipërisë.

Zgjedhjet e 30 qershorit pa ata janë e keqja më e vogël për Shqipërinë, ndërsa shtyrja e zgjedhjve vetëm se ata s’janë në zgjedhje, do të ishte një e keqe e zgjatur për Shqipërinë.”

Rama la të kuptohej se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe të pranojë një kërkesat e PD-së dhe LSI-së:

“Nuk do të dorëzohem as si kryeministër, as si qytetar.

Me këtë budallëk të kthyer në precedent na erdhi mundesia dhe ne të themi nesër ‘nuk duam zgjedhje vendore, se ashtu kemi një punë, madje as zgjedhjet të përgjithshme nuk duam, se ashtu kemi informacione që si themi dot’.

Rama nuk kërkoi shkarkimin e presidentit por thjesht e këshilloi atë të lexojë me kujdes rezolutën e sotme të kuvendin.

“I bëj thirrje Ilir Metës të lexojë me qetësi dhe kthejlltësi rezolutën e sotme të këtij Kuvendi.”

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>