Rama paralajmëron rritje të mëtejshme të çmimeve dhe ndërprerje të energjisë

Nga Exit News
Rama paralajmëron rritje të mëtejshme të çmimeve dhe ndërprerje të energjisë

Kryeministri Edi Rama njoftoi të dielën për një rritje të mëtejshme të çmimeve, për shkak të krizës të cilën e cilësoi “të jashtëzakonshme” në sektorin e energjitikës, që ka prekur tregjet botërore.

“Dukuria e rritjes marramendëse të çmimit të gazit e karbonit në të gjitha tregjet ndërkombëtare, si dhe tregu i fortë i çmimit të naftës, paralajmërojnë një dimër të vështirë, që bota ka përpara,” deklaroi Rama në një prononcim për publikun.

Duke e përshkruar situatën, Rama tha se qeveria gjendet para një sprove tjetër, pas shpresave për kalimin e pandemisë për shkak të vaksinimit masiv dhe rimëkëmbjes ekonomike.

Duke folur se si kriza po godet edhe fuqitë më të mëdha ekonomike si Kina e Evropa, ai tha se këto vende madje kanë paralajmëruar deri edhe ndërprerje të energjisë, tha Rama.

“…që nga Kina, ku mungesa e kapaciteteve energjitike të nevojshme për përballimin e kësaj kërkese, kërcënon afro gjysmën e kapaciteteve industriale të atij vendi, deri në Europë, ku kërkesa e lartë dhe oferta e pamjaftueshme për gaz, ka detyruar qeveritë të përballen me rritje marramendëse çmimesh e të paralajmërojnë, deri edhe politika kufizimesh në furnizimin me energji elektrike,” vijoi Rama.

Kjo e fundit, gërshetuar edhe me tonin solemn e retorikën e gjatë letrare të kryeministrit, duket se përbën edhe një paralajmërim mbi politikën që qeveria pritet të ndërmarr për të përballuar krizën në vend.

Ky dyshim shtohet për faktin se është Kina e jo Evropa që po kufizon furnizimin me energji.

Rama nuk përmendi masat që qeveria po merr, madje as për ato që ai i quajti shtresat prioritare në nevojë.

Ai vetëm kërkoi besim se kjo luftë të re do të përballohet me sukses nga qeveria, ashtu si edhe tërmeti dhe rimëkëmbja nga pandemia, duke ofruar si dëmshmi “kopshtet, shkollat, shtëpitë, lagjet e reja në rindërtim, siç e tregojnë edhe shifrat e ritmeve të rimëkëmbjes ekonomike”.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>