Rama premton më shumë vaksina: Do të çlirojmë popullin nga ankthi

Nga Exit News
Rama premton më shumë vaksina: Do të çlirojmë popullin nga ankthi

Kryeministri Rama është shprehur se do të çlirojë popullin nga ankthi i pandemisë duke rritur sasinë e vaksinave.

Rama ka publikuar në Facebook pamje të vaksinimit të mësuesve i cili nisi ditën e sotme pas mbërritjes së 38 400 dozave të vaksinës së kompanisë AstraZeneca një ditë më parë.

Kryeministri thotë se ka tejkaluar pritshmëritë e atyre që nuk besonin se Shqipëria do të merrte doza vaksinash kundër COVID-19.

“Ashtu siç askush nuk e besonte se ne do t’i shëronim plagët e tmerrshme të tërmetit pa humbur kohë dhe sot shërimi i tyre vazhdon pa u ndalur, ashtu edhe vaksinat që pakkush besonte se do t’i gjenim para shumë të tjerëve, ne do të vazhdojmë t’i rrisim në sasi pa u ndalur”, shkruan Rama.

Pas marrjes së 38 400 dozave të para nga kompania AstraZeneca, Shqipëria ka nisur procesin e vaksinimit të mësuesve dhe pedagogëve. Ministrja e Shëndetësisë njoftoi se do të vaksinohen sot mbi 250 mësues në Tiranë.

Shqipëria ka gjithësej rreth 37 mijë edukatorë dhe mësues të arsimit parauniveristar.

Aktualisht priten të mbërrijnë doza të vaksinës Pfizer nga muaji korrik sipas kontratës së nënshkruar nga qeveria.

Shqipëria pritet të marrë rreth 1 milionë doza nga COVAX por ende nuk ka një datë fikse se kur ato do të mbërrijnë.

Rama ka deklaruar se priten të vijnë doza nga shtete të cilat ai nuk i ka zbuluar dhe gjithashtu nga negociata ende të pazbardhura.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>