Kompania turke ka nisur ndërtimin e 524 apartamenteve në Laç. Njoftimi u bë nga përfaqësuesi i firmës turke, në faqen e Kryeministrit Rama në Facebook. Përfaqësuesi i kompanisë turke tha se do të përfundojë ndërtimi gushtin e ardhshëm.
Kompania turke ka marrë në punë rreth 40 punëtorë shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër do të vijë nga Turqia.
Kryeministri në postimin shoqërues të videos u shpreh se ndërtimi do të ishte bërë më shpejt, por për shkak të koronavirusit punimet u shtynë.
“Në kantieret e Durrësit, që financohen nga Emiratet e Bashkuara, do të punojë një kompani prestigjoze nga Dubai, me të cilën po bashkëpunojmë ngushtësisht prej muajsh për projektet.
Kavaja e Fushë – Kruja kanë nisur në terren me infrastrukturën ku do të ngrihen pallatet e reja”, shkruan në Facebook, Rama.
Më 2 korrik, Ministri për rindërtimin, Arben Ahmetaj njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje me shtetin Turk për bashkëpunim në ndërtimin e 522 banesave të reja në Laç.
Projekti parashikon edhe ndërtimin e ambjenteve të shërbimi dhe tregtare, parkim nëntokësor, hapësira të gjelbra dhe një shkollë 9-vjeçare. Ndërsa qeveria shqiptare do të rindërtojë sheshin e qytetit dhe godinën e Bashkisë Laç.