Rama pronarëve të tokës në Fier: Spitali do ndërtohet këtu edhe po nuk deshët ju

Nga Exit News
Rama pronarëve të tokës në Fier: Spitali do ndërtohet këtu edhe po nuk deshët ju

Kryeministri Edi Rama takoi të martën pronarët e tokës në Fier, ku do ndërtohet spitali i financuar nga Turqia.

Edhe pse ka pasur kundërshtime nga pronarët, Rama këmbënguli që spitali të ndërtohet në atë tokë. Për këtë arsye ai zhvilloi të martën një takim personalisht me pronarët.

Rama tha se pronarëve të tokës u është ofruar një marrëveshje: dëmshpërblim sipas ligjit, dëmshpërblim nga qeveria për çdo ditë vonese për pagesën e shpronësimit, si dhe  mundësia që të ngrenë njësi shërbimi për ata që vijnë tek spitali dhe familjarët e tyre.

Pas takimit me kryeministrin pronarët thanë se Rama u tha që, nëse duan mund ta dërgojnë çështjen edhe në gjykatë, por spitali do të ndërtohet aty.

Pronarët janë shprehur se i kanë kërkuar kryeministrit që toka t’u blihet me çmimin e  tregut. Por sipas tyre Rama u ka thënë se nuk do të merret me këtë pjesë. Një fermer deklaroi:

“Më thotë që lë një hapësire tokë, unë kam thjesht një certifikatë të tokës, nuk e di sa më kap 70% të tokës apo 80%. Do biem në një marrëveshje për negocimin e çmimit. Ne i kërkuam çmimin e tregut.”

Ndërkohë një fermer tjetër që ka tokën aty tha:

“Nuk kam tokë për të shitur, e kam për t’u ushqyer.”

Të hënën Rama deklaroi se spitali i Fierit do të jetë spital publik. Gjatë një konferencë për shtyp ai tha se shteti shqiptar nuk ja dilte dot ta ndërtonte pasi kosto ishte e lartë.

Rama tha se do të shpronësohen 12 familje, të cilat do të kenë marrëveshje me shtetin. Ai tha se i ka dhënë garancitë e mjaftueshëm.

Këto deklarata nxitën protesta tek pronarët e tokës ditën e hënë.

Presidenti turk Erdogan premtoi gjatë vizitës së Ramës në Turqi javës së kaluar, se do të ndërtojë një spital të ri në Fier, me fonde turke.

Gjatë një konference për shtyp bashkë me kryeministrin Rama, Erdogan tha se spitali do të jetë gati brenda 3 muajsh.

Erdogan tha se spitali i Fierit do të pajiset nga Turqia dhe me të gjitha mjetet dhe aparaturat e nevojshme.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>