Pas publikimi të pamjeve nga brenda spitaleve Covid, kryeministri Edi Rama ka vijuar të hënën me publikimin e pamjeve nga laboratorët e Institutit të Shëndetit Publik.
Në një postim në Facebook, Rama shkruan se në laboratorin e testimeve në ISHP, çdo gjë është sipas standardeve të Bashkimit të Europian dhe s’ka asnjë krahasim të imagjinueshëm me kushtet e disa viteve më parë.
Ndër të tjera, gjatë videos brenda në ISHP, foli dhe Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive Silva Bino. Ajo tha se ky është një laborator që në aktivitetin e vet normal funksionon me gjashtë persona, ndërsa tani kapacitetet janë rritur.
“Numri i testimeve tashmë është 6-7 fishuar. Në strategjinë tonë të testimit, ishte që ne të testonim të paktën 1 për qind të popullatës në muaj, gjë të cilën e kemi arritur që në gusht,” u shpreh Bino.
Ajo shtoi se aktualisht në vend kryhen 2500-3000 testime në ditë, në laboratorët shtetërorë dhe privatë, pavarësisht se ministria raporton vetëm ato të bëra nga shtetërori.