Kryeministri Rama ka komentuar për herë të parë mbi debatin që lindi pas njoftimit se në festën e birrës në Korçë ishte ftuar këngëtari boshnjak Goran Bregoviç.
Pjesëmarrja e Bregoviç në këtë koncert është kundërshtuar në Kosovë dhe Shqipëri.
Rama i quajti zërat kundër Bregoviçit histeri fashiste, mesjetare, të turpshëm, urrejtës të verbër dhe gjoja patriotë.
Sipas tij ata që kundërshtuan ardhjen e Bregoviçit janë njësoj si serbët që ofendojnë në rrjetet sociale Dua Lipën për faktin se është shqiptare e Kosovës.
Këngëtarin nga Sarajeva kryeministri e cilëson si një nga më të jashtëzakonshmit në Ballkan dhe thekson se ai nuk ka thënë asgjë kundër shqiptarëve dhe nuk ka mbështetur regjimin e Millosheviçit.
Pjesëmarrja e Bregoviçit në Korçë u kundërshtua me pretendimin se këngët e tij zgjuan nacionalizëm serb dhe nxitën ushtarët serbë të shkaktojnë masakra në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.
Bregoviç nuk është shprehur publikisht mbi luftërat në ish-Jugosllavi dhe ky qëndrim neutral është arsyeja përsa një pjesë e publikut e dënon atë.
Pas lajmit për pjesëmarrjen e Bregoviç në festivalin e festës së birrës, muzikantë nga Kosova dhe Shqipëria u tërhoqën, gjithashtu edhe kompania kosovare e Birrës Peja.
Të dielën Bregoviç mbylli natën e fundit të festës së birrës por gjatë kohës që ai po këndonte u hodh gaz lotësjellës në mes të njerëzve që po shihnin koncertin.