Kryeministri Rama ka rivendosur në oborrin e kryeministrisë instalacionin e kërpudhës nga Karsten Holler, e cila në shkurt 2019 u dëmtua gjatë protestave të opozitës.
Në një postim në Facebook, Rama njoftoi se instalacioni është rindëtuar 1 metër më i lartë, pasi ‘karakteristika e kësaj kërpudhe është se kur goditet, rritet’.
Kërpudha e Trefishtë Gjigande e Holler-it ishte një pjesë në ekspozitën e hapjes së Qendrës për Hapje dhe Dialog në vitin 2015, kur u instalua edhe instalacioni “Marquee Tirana” i Philippe Parreno-s, i cili vazhdon ende të qëndrojë në fasadën e Kryeministrisë.
Në verën e 2019-ës, në një intervistë dhënë për kuratorin zviceran Hans Ulrich Obrist, një nga mbështetësit e tij me jetëgjatë në skenën ndërkombëtare të artit, Rama shprehu trishtim të thellë për dëmtimin e kërpudhës:
“Kërpudha e Karstenit, që ishte vendosur në lulishte, nuk i mbijetoi sulmit të protestuesve, pasi ata e thyen. E thyen, dhe sigurisht që ishte një çast i trishtë.
Ishte e trishtë, por edhe e vështirë për t’ia shpjeguar Karstenit se nuk kishte qenë një protestë estetike. Kishte qenë një protestë politike kundër meje dhe jo kundër kërpudhës. Ata nuk më kapën dot mua, dhe iu drejtuan kërpudhës, ndaj edhe kërpudha u thye. U gëzova kur Karsteni më mori në telefon pas një muaji dhe më tha “kam një ide fantastike”, se i thashë unë që duhet ta bëjmë prapë [kërpudhën].
Më tha që do ta bëjmë prapë, por 25 për qind më të lartë, që kushdo që do ta prekë ta dijë se ajo do të kthehet akoma më e lartë. Kjo do t’i bëjë njerëzit të mos e dëmtojnë kërpudhën, por edhe në e dëmtofshin, ajo vetëm sa do të rritet sërish.”
Siç, Vincent Van Gerven Oei ka shkruar më parë për Exit News, ‘punimet e Parreno-s dhe të Höller-it, në një kuptim shumë tradicional janë vepra të propagandës politike, të krijuara nga artistë që mbështesin regjimin e Ramës. Ato janë po aq propagandë sa vepra tjetër në fasadën e Kryeministrisë, basorelievi i babait të Edi Ramës, Kristaq Rama. Dhe, duke pasur parasysh instalacionin e strehës me drita të Parrenos, është e qartë se Rama dëshiron ta tejkalojë trashëgiminë e të atit, duke e përsëritur atë në mënyrë tragjike.
Duke mbajtur parasysh bagazhin simbolik të këtyre dy veprave, nuk është për t’u habitur që ato janë bërë objekte të sulmeve (fizike) të opozitës. Edhe pse mund të dyshohet nëse protestuesit mund të jenë të vetëdijshëm apo jo për kontekstin artistiko-historik ku veprojnë këto vepra, vetë qëllimi i tyre si vepra propagandistike do të thotë që në mënyrë të pandërgjegjshme gjithkush lexon tek to rëndësinë simbolike, rrjedhimisht edhe politike, që kanë.’