Rama mjekëve të Lezhës: Nuk jeni në ‘Vijën e Zjarrit’, nuk merrni shpërblim

Nga Exit News
Rama mjekëve të Lezhës: Nuk jeni në ‘Vijën e Zjarrit’, nuk merrni shpërblim

Kryeministri Edi Rama sqaroi sot stafin mjekësor të Lezhës, të cilët protestuan për mos marrjen e shpërblimit prej 1 mijë eurosh në muaj gjatë pandemisë së Covid-19. Mjekët morën vetëm 40 euro shpërblim.

Në dy postime në Twitter, Rama tha se qeveria do të japë shpërblim vetëm për ata mjekë që janë në ‘Vijën e Zjarrit’ dhe jo për mjekët në terren:

“Unë e kam thënë shqip që do të paguajmë 1000€ mbi pagën për mjekët e infermierët në Vijën e Zjarrit! Kush ka ngatërruar vijën e zjarrit në spitalet Covid e në autoambulanca, me detyrën e bluzës së bardhë në territor, duhet të kthjellohet e të mos turpërojë bluzën e bardhë!”

Ai sulmoi dhe opozitën duke lënë të nënkuptohet se po e përdor këtë situatë për sulme politike:

“Kush i nxit nga jashtë kërkesat për shpërblime pa asnjë sens bën politikën e mbrapshtë që ka bërë gjithnjë dhe do ndëshkohet nga populli, kush nga brenda bëhet mashë politike cënon misionin e shenjtë e moralin e bluzave të bardha në këtë luftë dhe nuk do të justifikohet në vijim!”

Më 10 mars 2020, qeveria vendosi shpërblimin prej 1 mijë eurosh “për personelin mjekësor, specialistë të shëndetit publik që merren me epidemiologjinë, infermierë dhe specialistë të shërbimit laboratorik, të angazhuar në diagnostikimin dhe trajtimin mjekësor të personave të prekur nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-19” dhe shpërlimin prej 500 eurosh për “për personelin mbështetës, i angazhuar në institucionet ku trajtohen personat e prekur nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-19”, duke përjashtuar kështu spitalet e rretheve”.

Por mjekët e Urgjencës së Lezhës u shprehën sot se dhe ata janë të rrezikuar dhe duhet të konsiderohen si në brenzin e parë të luftës, pasi çdo ditë përplasen me dhjetra pacientë që mund të jenë me Covid-19. Madje nuk kanë as të gjitha masat mbrojtëse duke vënë në rrezik çdo ditë shëndetin e tyre.

Vlen të theksohet se dhjetra mjekë në spitalet e Durrësit, Fierit, Korçës, Lushnjes e Lezhës kanë pasur kontakte me pacientë të infektuar, e madje disa prej tyre janë prekur nga Covid-19.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>