Rama sqaron “pse nuk duhet t’i biem grekut”

Nga Exit News
Rama sqaron “pse nuk duhet t’i biem grekut”

Kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook ka sqaruar disa fakte për gjendjen e krijuar në pikat kufitare në Greqi, pas vendosjes së rregullave të reja nga shteti grek. Sipas Ramës:

1 — Kjo gjendje është e njejtë në të gjitha pikat e kalimit kufitar me Greqinë:

“Në kufirin greko-bullgar të Kulatas, radha dje ishte plot 5 kilometra dhe askush në Bullgari nuk kërkon hapjen e ndonjë lufte bullgaro-greke, [..] në pikën kufitare të Kapikulesë në Turqi, numri i makinave në radhë ishte shtrirë 40 kilometra. Po edhe andej nuk janë dëgjuar as thirrje për luftë, as thirrje për djegie njerëzish të gjallë”.

2 — Regjimi i ri i Greqisë zbatohet edhe për shtetasit grek, jo vetëm për të huaj, dhe për këtë nuk ka faj qeveria shqiptare dhe nuk ka vend për të urryer Greqinë:

“Ama në këtë rast, nuk ka asnjë arsye “për t’i rënë grekut” dhe me palën greke kemi qenë e jemi non stop në komunikim, e ata kanë bërë e po bëjnë çfarë munden për ta lehtësuar lëvizjen, ndërkohë që kanë marrë vendimin të testojnë me tampon çdokënd, shqiptar, anglez, amerikan, kinez e madje edhe grek, që hyn në Greqi”.

3 — Humbja e jetës së fëmijës së vogël është e tmerrshme por kjo nuk është arsye për të urryer shtetin grek:

“Humbja e jetës së fëmijës që i preu rrugën autoambulancës ishte një tragjedi e dhimbshme sa s’ka dhe ne nuk do të mjaftohemi thjesht me ngushëllimet e sinqerta me fjalë që as nuk gjenden dot, për atë familje të goditur nga ajo fatkeqësi e tmerrshme. Por nuk është gjëkundi as kjo një arsye për të urryer fqinjin apo mallkuar shtetin”.

4 — Qeveria po vazhdon komunikimin me palën greke dhe po ndihmon përmes ushtrisë dhe strukturave vendore

“Ne duhet të bëjmë thjesht dhe vetëm atë që kemi bërë e po bëjmë. Asistencë përmes Forcave të Ushtrisë, Urgjencës Kombëtare, strukturave vendore, me gjithçka mundemi për njerëzit që po sfiliten në atë karvan rraskapitës dhe komunikim në vijimësi me palën greke në të gjitha nivelet – tanimë ata janë angazhuar me tre turne për të lehtësuar kalimin”.

5 — Nga 17 gushti të gjithë duhet të zbatojnë rregullat e shtetit grek, të informohen dhe të mos kërkojnë nga shteti shqiptarë arsyet pse ka vendosur Greqia rregulla:

“Kush shkon në Greqi, për më tepër që shumica dërrmuese e atyre që janë apo shkojnë drejt Kakavisë këto ditë, janë rezidentë në vendin fqinj, duhet të informohet si duhet dhe të mos kërkojë nga shteti shqiptar as arsyet pse shteti grek ka zgjedhur këtë strategji për të luftuar Covidin, as që të çajmë kufirin grek me forcë apo të “trashim zërin” ndaj Greqisë për një vendimmarrje sovrane e legjitime të shtetit grek, mbi regjimin antiCovid në kufijtë e vet”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>