Rama sulmon këdo që kundërshton inceneratorët e plehrave

Rama sulmon këdo që kundërshton inceneratorët e plehrave

Mediat kanë filluar të flasin kundër strategjisë së qeverisë shqiptare për të ndërtuar inceneratorë me kapaciteti  shumë herë më të madh se nevojat, me shumë mundësi të paracaktuar për importin e mbetjeve të djegshme me gjasa nga Italia. Gjithashtu mediat kanë denoncuar edhe skemën e dyshimtë të Partneritetit Publik Privatë përmes së cilës po ndërtohen inceneratorët.

Gazetari Artan Rama ishte i pari, i cili hodhi dritë mbi skemë korruptive të kompanive që qendrojnë pas inceneratorëve dhe përmes hulumtimit të tij tregoi se pas të gjithë inceneratorët në vend, Fier, Elbasan dhe Tiranë qendron vetem një person.

Dhe së fundmi ishte reportazhi i Zërit të Amerikës, i cili shkroi për koncesionet e dyshimta me kompani offshore që menaxhojnë landfillet dhe inceneratorët e mbetjeve në Shqipëri duke treguar sërish se gjithçka i përket vetëm një personi.

Por sikurse ka ndodhur edhe më parë, Kryeministri Rama menjëherë sapo Zëri i Amerikës publikoi reportazhin mbi mbetjet postoi këtë mesazh në Facebook.

“A ju kujtohet Sharra e maleve me plehra e zjarre, retë e helmeve mbi tërë zonën e Kombinatit dhe ujrat e helmuar prej degradimit nën diell e nën shi të mijëra tonelatave mbetje në mëshirën e fatit?! Shikojeni se si po fitohet beteja për Shqipërinë e pastër Europiane, mu në zemrën e vendit tone […] dhe gjykojini vetë lumenjtë e baltës së shpifjeve e të akuzave, që vazhdojnë kundër nismave tona në këtë drejtim ku për çerekshekuli nuk u bë asgjë!”

Kjo nuk është hera e parë që Kryeministri sulmon zërat kundër ndërtimit dhe koncesioneve të inceneratorëve të mbetjeve.

Në 24 shtator 2016, Kryeministri Rama në Facebook, shkroi:

“Çfarë po u thuhet sot njerëzve nga sharlatanët politikë e mediatikë, për ligjin e ri të mbetjeve, është një shpifje që synon t’u fusë frikën dhe t’i përdorë kundër qeverisë!”

Në 29 shtator 2016, Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste me gazetarin Blendi Fevziu deklaroi:

“Ju [media] jeni një kërcënim i madh sepse të nxjerrësh gjëra të tilla dhe të alarmosh publikun me padijen tuaj është kriminale. Fut në panik të gjithë njerëzit me një gënjeshtër.”

Në 23 janar 2018, Kryeministri Rama, në emisionin ‘5 pyetje nga Babaramo’, deklaroi:

“E kemi tërhequr [ligjin për importin e plehrave] për një arsye të thjeshtë, për të mos lejuar intoksikimin deri në verbëri të një pjese të opinionit nga të gjithë matrapazët e plehrave që bëjnë politikë me plehrat dhe pleh me politikën.”

Vitin e fundit, qeveria ka dhënë me koncesion ndërtimin e tre impianteve të mëdha djegëse (incineratorëve), në Elbasan, Fier dhe Tiranë, dhe një sërë koncesionesh të tjera për landfille.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>